Rajon

Vuçiqi nuk ia vë veshin BE-së, do ta vizitojë Rusinë

Aleksandër Vuçiq

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të mërkurën ka thënë se ai nuk e ka ndryshuar mendjen rreth pjesëmarrjes në Paradën e Fitores të presidentit rus, Vladimir Putin, në Moskë muajin e ardhshëm, pavarësisht presionit të madh nga Bashkimi Evropian për të mos shkuar, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”. 

Zyrtarët evropianë e kanë paralajmëruar presidentin serb se vizita e tij në Moskë për të festuar fitoren e Luftës së Dytë Botërore do të ishte një thyerje e kritereve të bllokut për anëtarësim dhe mund t’i devijojë ambiciet e vendit për t’u anëtarësuar në BE.

Sipas tyre vizita po ashtu efektivisht do të shfaqte mbështetje për pushtimin rus të Ukrainës. 

Vuçiq, i cili shpesh ka shprehur qasje proruse, ka njoftuar se një njësi e ushtrisë serbe do të marrë pjesë në paradën e 9 majit në sheshin e Kuq në kryeqytetin rus. Po ashtu ai ka treguar se kjo do të jetë hera e parë që Serbia po merr pjesë në organizimin e “përbashkët” të paradës. 

“Në periudhën e ardhshme, ne do të jemi në presion rreth ngjarjes në Moskë në të cilin ne kemi njoftuar se do të marrim pjesë”, ka deklaruar Vuçiq. 

Më herët gjatë javës, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka deklaruar se blloku e “ka bërë të qartë se ne nuk duam që asnjë vend kandidat të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”. 

Vuçiqi ka njoftuar se do të udhëtojë për në Moskë me aleatin e krahut të djathtë politik, kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico. Lideri sllovak i ka quajtur jorepektuese theksimet e Kallasit rreth paralajmërimeve për liderët që udhëtojnë për në Moskë.

Edhe lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, ka njoftuar se do të marrë pjesë në organizmin e 9 majit.