Rajon

Vuçiq: Vuçeviqi nuk pati faj që Von der Leyeni e anuloi takimin

Aleksandar Vuçiq

Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri Milosh Vuçeviq nuk ka bërë asgjë të keqe që Ursula von der Leyeni ta anulonte takimin me të, por në fund të fundit, sipas Vuçiqit, njerëzit në Bruksel nuk mund të durojnë që Vuçeviqi u takua me ministrin rus para presidentes së Komisionit Evropian, transmeton “N1”.

Vuçiqi ka thënë për TV Prva se me një politikë të jashtme të pavarur, Serbia arriti të ruajë respektin e presidentit rus Vladimir Putin, edhe pse nuk shkoi në samitin e BRICS në Kazan, si dhe respektin e Ursula von der Leyenit. Në BRICS, Serbia u përfaqësua nga zëvendëskryeministri dhe i sanksionuari i SHBA-së, Aleksandar Vulin.

“Serbia është në rrugën evropiane, sepse politika e saj nuk ndryshon brenda natës në një lokal”, ka thënë Vuçiqi dhe përsëriti se Serbia ruan miqësinë me Federatën Ruse dhe se ka marrëdhënie të shkëlqyera me Kinën.

Ai ka shtuar gjithashtu se Serbia është “skena e një lufte hibride” e shërbimeve të huaja që marrin pjesë në konfliktet në Ukrainë, dhe disa në Lindjen e Mesme dhe Paqësor, “dhe ata duan çdo komb dhe çdo vend nën kontrollin e tyre”.

“Në atë luftë hibride, të gjitha palët përdorin të njëjtat teknika, të njëjtët njerëz, goja e të gjithëve është plot me liri, goja e të gjithëve është e mbushur me mbrojtjen e interesave të Serbisë dhe të gjithë po punojnë për një palë të tretë, gjë që është gjithnjë e më e vështirë për mua”, ka deklaruar ai.