Rajon

Vuçiq për rezolutën për Srebrenicën: Ata që abstenojnë i kemi miq

Aleksandar Vuçiq

Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Mali i Zi ka bërë lojë të pështirë me Rezolutën për Srebrenicën dhe se miqtë e Serbisë do të dëshmohen në mbledhjen e radhës së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara është vlerësuar si kërcënim ndaj Malit të Zi, siç kanë raportuar mediat malaziase. Qeveria e Malit të Zi e udhëhequr nga Millojko Spajiq ka çuar amandamente ku thuhet se gjenocidi nuk mund t’i atribuohet një etnie të caktuar e megjithatë, mbështetja që ja kanë dhënë rezolutës ka bërë që nga Beogradi drejt Podgoricës të vijnë mesazhe agresive.   

“Ne respektojmë fqinjët tanë dhe të drejtën ndërkombëtare, nuk mund të kuptoj gjithmonë gjithçka. Për mua loja për amandemtim ishte e pështirë e me kë negociuan për këtë do ta shpjegoj të premten pas kthimit në New York”, ka thënë Vuçiq për “TV Pink”. 

Vuçiq ka thënë se Serbia do ta mësojë të enjten “se kë ka mike në botë”. 

Vuçiq akuzoi mediat e Malit të Zi për “pamaturi”. Ai ka përmendur edhe Plavën e Gusinë. 

“Epo, Serbia nuk ka njohur pavarësinë e Plevlës, Herceg Novit, Rozhajës, Plavës e Gusisë – të asnjërit në Mal të Zi. Rreth 13 për qind të territorit. Nuk është Serbia që ka shkelur integritetin territorial të Malit të Zi dhe kartën e OKB-së, por Mali i Zi e ka shkelur të Serbisë”, tha Vuçiq. 

Kryeministri i Malit të Zi, Spajiq, kishte thënë se amendamentet që kanë paraqitur në mënyrën më të mirë shfaqin politikën pajtuese të Malit të Zi, se serbët dhe boshnjakët duhet të jenë më të afërt dhe t’i drejtohen ekonomisë, standardit më të mirë të jetesës dhe të ardhmes. 

Më 23 maj do të mbahet seanca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për rezolutën për Srebrenicën.