Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në garën për president të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova ka fituar mbi 65 për qind të votave, ndërkaq Stevo Pendarovski ka arritur të marrë rreth 30 për qind të votave. VMRO-ja është fituese edhe e zgjedhjeve parlamentare me afro 40 për qind të votave. Në vend të dytë është radhitur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me afro 17 për qind, ndërsa në vend të tretë koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, me 14 për qind të votave
Kandidatja e partisë opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, përderisa kundërkandidati i saj, Stevo Pendarovski, pranoi humbjen. Po këtë ditë Maqedonia e Veriut mbajti edhe zgjedhjet parlamentare, në të cilat të drejtë vote kishin 1.8 milionë qytetarë.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Davkova ka fituar mbi 65 për qind të votave, ndërkaq Pendarovski ka arritur të marrë rreth 30 për qind të votave.
VMRO-ja po ashtu po prin në zgjedhjet parlamentare.
“Qytetarët bënë zgjedhjen e duhur. Duhet të përpiqemi t'i japim fund vullkanizimit, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, tha Davkova në adresimin e parë pas zgjedhjeve.
Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, tha se rezultatet janë të qarta, duke ia uruar fitoren kundërkandidates së tij.
“Koncepti im për një Maqedoni multietnike, plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, fatkeqësisht nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Megjithatë, jam thellësisht i bindur se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë një shtet i begatë dhe demokratik”, tha Pendarovski.
Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31 për qind e trupit votues.
Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, sipas rezultateve paraprake, VMRO-ja po udhëheq me rreth 40 për qind të votave të fituara.
Në vend të dytë është radhitur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me rreth 17 për qind të votave, ndërsa në vend të tretë radhitet koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, i cili ka fituar mbi 14 për qind të votave. Koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, radhitet në vendin e katërt me mbi 13 për qind të votave.
Bilall Kasami nga koalicioni VLEN ka thënë se ata kanë dalë fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare.
"Nesër nisin negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve!", ka thënë ai.
Sipas Kasamit, në rezultat ka ndikuar edhe mërgata që ka ardhur për të votuar.
“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo është si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj i them 100 mijë herë - faleminderit, faleminderit, faleminderit të gjithë atyre që erdhën dhe bënë edhe një herë ndryshimin në atdhe!”.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka falënderuar qytetarët që morën pjesë në këtë cikël zgjedhor. Sipas tij, Fronti Evropian është forca e dytë politike në vend dhe se nga këto zgjedhje do të dalë me 19 mandate. Ahmeti me këtë rast tha se BDI-ja oponent në këto zgjedhje kishte VMRO-në dhe jo VLEN-in sepse, sipas tij, VMRO-ja ka ndihmuar VLEN-in.
“Zgjedhjet kaluan me standarde të pranueshme, është një provim i shtetit, i institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira demokratike, standard i cili duhet akoma, sepse ne tanimë jemi në prag të anëtarësimit në BE. Do të doja të falënderoja të gjithë votuesit e Frontit, të gjithë aktivistët dhe shefat e shtabeve të cilët kanë bërë punën më të madhe e të shkëlqyeshme që ne të dalim fitimtarë e krenarë. Të gjithë këta aktivistë na kanë bërë krenarë, sepse jemi forca e dytë politike. Fronti Evropian është në një dallim me oponentin, ne oponent kemi pasur VMRO-në, sepse VMRO-ja ka ndihmuar VLEN-in, por dallimi është mbi 30 mijë vota. Kjo do të thotë që shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët, të cilët kanë vepruar në kuadër të Frontit janë për anëtarësim të pakompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione, të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulëseve.
Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, Davkova udhëhoqi bindshëm me një diferencë prej 20 për qind të votave në krahasim me kundërkandidatin e saj socialdemokrat, Pendarovski.
VMRO DPMNE-ja, në paraqitjen e parë pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00, tha se “të mërkurën ka dështuar skenari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për dështimin e zgjedhjeve presidenciale”.
“Fituese e zgjedhjeve është VMRO DPMNE-ja, ndërsa BDI-ja do të shkojë në opozitë” ka thënë Timço Musunski nga VMRO-ja.
Zëdhënësja e Lidhjes Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, Bogdanka Kuzeska, tha se zgjedhjet ishin të suksesshme, paqësore dhe dinjitoze, “siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian”.
Procesi zgjedhor u zhvillua në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre u monitorua nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.
“Misioni i ODIHR-së do të shpallë rezultatet fillestare të vëzhgimit ditën e enjte. Ne do t'i shqyrtojmë rezultatet e tjera kur ato vijnë nga i gjithë vendi dhe më pas do të nxjerrim përfundimet tonat bazuar në vëzhgimet e dhëna nga vëzhguesit tanë të shumtë", ka deklaruar më herët gjatë 8 majit shefja e misionit të ODIHR-së, Jilian Stirk.
Këto ishin zgjedhjet e para të dyfishta që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e demokracisë në vitet ‘90.
Në garën për Parlamentin e ri morën pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore u zhvillua mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe koalicionit opozitar VLEN.
Në radhët e Frontit Evropian garuan edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe në çdonjërën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse. Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj. Në këtë rast seanca ceremoniale për inaugurimin e presidentit të ri do të mbahej nga deputetët në largim.
Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), këto afate deri më 12 maj mund të respektohen vetëm pasi KSHZ-ja t’i ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht nëse nuk ka ankesa për procesin zgjedhor.
“Kandidati për president që fiton zgjedhjet duhet të bëjë një deklaratë solemne para Kuvendit dhe, sipas Kushtetutës, mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare. Përbërja e vjetër parlamentare e ka një të drejtë të tillë, duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare. Pastaj, presidenti i ri do ta caktojë mandatin për të formuar një qeveri të re", thotë Novakovski.
Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast.
Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Zgjedhjet e 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi.
Kasami: Nesër fillojnë negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN
(Përditësuar - 22:40) - Bilall Kasami nga VLEN ka thënë se koalicioni VLEN ka dalë fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare.
"Nesër nisin negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve", ka thënë ai.
Sipas Kasamit, ka ndikuar edhe mërgata që kanë ardhur për të votuar.
“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo është si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj i them 100 mijë herë “faleminderit, faleminderit, faleminderit të gjithë atyre që erdhën dhe bënë edhe një herë ndryshimin në atdhe!”
Ai shtoi se dallimi nuk do të jetë më shumë se 10 mijë vota.
Mickoski: Koha që LSDM dhe BDI të shkojnë në opozitë
“Ne ia dolëm! Maqedonia fitoi! Një fitore historike e popullit”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në fillim të fjalës së tij nga selia e partisë.
Ai ka thënë se në zgjedhjet e sotme ka humbur edhe bojkoti i BDI-së.
“Populli ka treguar se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrojnë veten përmes institucioneve. Është koha që BDI së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë. Nuk do t’ju zhgënjejmë, rezultatet e punës sonë do të shfaqen në 100 ditët e para të qeverisjes”, tha Mickoski.

Ahmeti: Kemi siguruar 19 mandate
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka falënderuar qytetarët që morën pjesë në këtë cikël zgjedhor dhe njehe rit theksoi se Fronti Evropian është forca e dytë pulitke në vend dhe se nga këto zgjedhje do të del me 19 mandate. Ahmeti me këtë rast tha se BDI-ja oponent në këto zgjedhje kishte VMRO-në dhe jo VLEN-in, sepse sipas tij VMRO-ja ka ndihmuar VLEN-in.
“Zgjedhjet kaluan me standarde të pranueshme, është një provim i shtetit i institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira demokratike, standard të cilin duhet akoma, sepse ne tanimë jemi në prag të anëtarësimit në BE. Do doja të falënderoj të gjithë votuesit e Frontit, të gjithë aktivistët dhe shefat e shtabeve të cilët kanë bërë punën më të madhe e të shkëlqyeshme që ne të dalim fitimtar e krenar. Të gjithë këta aktivist na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike. Fronti Evropian është në një dallim me oponentin, ne oponent kemi pas VMRO-në sepse VMRO-ja ka ndihmuar VLEN-in, por dallimi është mbi 30 mijë vota. Kjo do të thotë që shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të frontit janë për anëtarësim të pa-kompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti.

Kovaçevski: LSDM-së i është dhënë një goditje e rëndë
(Përditësuar - 22:36) - Lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në fjalimin e sotëm tha se LSDM-së i është dhënë një goditje e rëndë nga qytetarët, anëtarësia dhe simpatizantët e partisë.
Kovaçevski bëri thirrje për analizë të menjëhershme të partisë dhe mbajtjen e kongresit raportues me qëllim të konsolidimit të plotë të gjithë partisë./alsat
Në zgjedhjet presidenciale Pendarovski pranon humbjen
(Përditësuar - 22:15) - Kandidati për president, Stevo Pendarovski e ka pranuar humbjen dhe i ka uruar punë të suksesshme kundërkandidates nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Ndërkohë që akuzoi BDI-në e cila ka bërë thirrje për bojkot. Pendarovski me këtë rast tha se pavarësisht rezultatit ai ka ndërgjegjen e pastër, dhe pyeti nëse edhe ata të cilët thirrën në bojkot kanë ndërgjegjen e pastër.
“E dimë se ka disa raporte për disa parregullsi, por këtë ua lëmë organeve kompetente që të mos mbetet asnjë njollë ndaj procesit zgjedhor. I uroj fituesve, u dëshiroj sukses në punë gjatë katër viteve, gjegjësisht 5 viteve të ardhshme. Koncepti imë për një Maqedoni multietnike të integruar në strukturat euroatlantike nuk gjeti mbështetje tek votuesit, megjithatë unë mbetem në qëndrimin se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë prosperuese. Megjithatë ndërgjegjja ime është e pastër. Por nuk e di nëse e kanë ndërgjegjen e pastër edhe ata të cilët thirrën në bojkot“, deklaroi Stevo Pendarovski, kandidat për president.
Në anë tjeter nga 72.21 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor deri më tani në zgjedhjet e sotme parlamentare te partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Fronti Evropian prin ndaj VLEN.
Fronti Evropian ka 14.95 për qind të votave ose 21.471 vota më shumë se VLEN, i cili aktualisht ka 11.94 për qind.
Prin koalicioni “Maqedonia jote- VMRO-DPMNE” me 42.07 për qind. Ndërsa koalicioni për të ardhmen evropiane - LSDM ka 14.36 për qind.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni: Fronti Evropian prin ndaj VLEN-it
(E përditësuar 20:59) Nga 420 mijë vota të numëruara deri më tani, ndërmjet Fronti Evropian dhe VLEN, prin Fronti me 20.48% derisa VLEN ka 17.37%.
Këto janë të dhënat preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, të cilat janë mbajtur sot.
Deri më tash janë përpunuar rreth 36 për qind e rezultateve sipas KSHZ-së. Prin koalicioni “Maqedonia jote- VMRO-DPMNE” me 35.70 për qind. Ndërsa koalicioni për të ardhmen evropiane - LSDM ka 12.14 për qind. /KSP
Rezultatet preliminare: Në zgjedhjet presidenciale prin kandidatja e VMRO-DPMNE-së
Rezultatet preliminare të raundit të dytë të sotëm të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, tregojnë se kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska Davkova prin ndaj Stevo Pendarovski nga LSDM.
Davkova ka marrë 64.05 për qind të votave, ndërsa presidenti aktual ka 29.75 për qind, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga 59.40 për qind i votave të numëruara deri më tash.
Për president në raundin e dytë do të zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave, nëse për të kanë votuar mbi 40 për qind e votuesve të regjistruar.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski sonte deklaroi se sipas të dhënave deri në 18:30 dalja në zgjedhjet për president të shtetit ka qenë 46.34 për qind.
KSHZ-ja i publikon rezultatet fillestare të votimit në mënyrë elektronike dhe të njëpasnjëshme, ndërsa rezultatet e procesverbalit nga KKZ-ja në afat prej 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve. Rezultatet përfundimtare KSHZ-ja i publikon në afat prej 24 orëve nga dita e përfundimit të tyre./KSP

Mbyllen vendvotimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare
(E përditësuar 19:10) Në orën 19:00 janë mbyllur vendvotimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Në një deklaratë për media, Arbër Ademi, zëdhënës në BDI, ka thënë se procesi është zhvilluar i qetë dhe pa incidente.
Ai ka thënë se i falënderon qytetarët të cilët nuk kanë rënë pre e provokimeve.
“Është shpirti i vullnetarizmit që mundësoi proces të qetë dhe demokratik. Fronti Evropian do të dëshmojë fitore historike. Kthim prapa nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë. Më 24 prill dhe sot, populli e tha fjalën e tij dhe fronti evropian do t’i qëndrojë besnik popullit. Fitorja është e jona dhe juve që i tha jo Rusisë, por Evropës. Bashkë në fitore të reja”, ka thënë ai.
Autore: Valbona Bytyqi
(E përditësuar 17:15) - Deri në 17:00 votuan: 42,32% në zgjedhjet presidenciale, 46,93% në zgjedhjet parlamentare
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 17:00 kanë votuar 42.32 për qind për zgjedhjet presidenciale, ndërsa dalja për zgjedhjet parlamentare deri në këtë kohë është 46.93 për qind në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se dalja më e madhe për momentin për zgjedhjet presidenciale është në Novaci ndërsa më e ulëta në Likovë.
“Deri në orën 17:00 të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve për zgjedhjet presidenciale të përpunuar nga gjithsej 2.040 vendvotime. Nga numri i përgjithshëm i regjistruar në këto vendvotime 1 milion e 609 mijë e 21 votues. Kanë votuar 452 mijë e 412 votues, respektivisht 42.32 për qind. Dalja më e madhe deri tani për zgjedhjet presidenciale ka në Novaci me 66.47 për qind dhe dalja më e ulët ka në Likovë me 6.48 për qind. Krahasuar me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale 2019, kemi rritje të daljes për 7.19 për qind në këto zgjedhje, ndërsa krahasuar me rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2024 kemi rritje prej 0,001 për qind”, ka thënë Dashteski.
Dalja më e lartë për zgjedhjet parlamentare është në Krivogashtan – 79.73 për qind, ndërsa më e ulëta në Mavrovë dhe Rostushë - 22.93 për qind. Në krahasim me zgjedhjet parlamentare 2020 ka rritje 8.15 për qind.
Dashtevski ka folur edhe për numrin e ankesave të parashtruara.
“Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 450 ankesa për mbrojtje të të drejtës zgjedhore. Prej tyre 228 janë miratuar dhe votuesve u është mundësuar ta realizojnë të drejtën e tyre të votës. 22 ankesa janë refuzuar si të parregullta, ndërsa 67 ankesa janë refuzuar. Ankesat e tjera janë duke u përpunuar", tha ai./ KP
(E përditësuar 14:42) - Deri në orën 13:00, më shumë votues për zgjedhje parlamentare sesa presidenciale
Deri në orën 13:00 në Maqedoni të Veriut në zgjedhjet presidenciale kanë votuar 23.95 për qind e 1.8 milionë qytetarëve me të drejtë vote, ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Ndërsa në zgjedhjet parlamentare votuan 25.84 për qind e trupit votues.
Pjesëmarrje në votimet për Parlament është më e ulët nga ajo për zgjedhjet presidenciale, në veçanti në rajonet perëndimore të vendit të banuara me shqiptarë.
12.87 për qind e qytetarëve kanë votuar në Maqedoni të Veriut deri në ora 11:00
(E përditësuar 12:00) - Deri në ora 11:00 kanë votuar 12.87 për qind e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore, sipas kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Votues më së shumti për zgjedhjet presidencialet janë regjistruar në Probishtip ndërsa më e ulëta është regjistruar në Komunë e Likovës. Ndërkohë sa u përket zgjedhjeve parlamentare, jehonë më e madhe e votuesve është regjistruar në Krivogashtani, ndërsa jehonë më e vogël në Komunën e Vrapçpishtit, shkruan Alsat.
“Sipas të dhënave të përpunuara nga 2080 vendvotime, deri në orën 11:00 për zgjedhjet presidenciale kanë dalë të votojnë 12,87% nga personat me të drejtë vote, përkatësisht 141.087 persona”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Njësitë Zgjedhore:
NJ.Z. 1 15.85 %
NJ.Z. 2 12.24%
NJ.Z. 3 16.79%
NJ.Z. 4 14.54%
NJ.Z. 5 14.01%
(E përditësuar 10:15) - Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Aleksandar Dashtevski, ka thënë se deri në orën 09:00 ka pasur dalje më të ulët se në zgjedhjet e vitit 2019, raporton “Alsat”.
Sipas tij, në Probishtip ka pasur dalje më të madhe për zgjedhjet presidenciale, ndërsa në Krivogashtani ka pasur dalje më të madhe për zgjedhjet parlamentare.
Dalja më e madhe e votuesve është regjistruar në njësinë zgjedhore numër 3, ndërsa më e ulëta është regjistruar në njësinë zgjedhore numër 6.
Njësia Zgjedhore numër 1 4.85%
Njësia Zgjedhore numër 2 3.64%
Njësia Zgjedhore numër 3 6.26%
Njësia Zgjedhore numër 4 5.52%
Njësia Zgjedhore numër 5 4.41%
Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut
Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhje të dyfishta. Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.
Diferenca në numrin e votuesve është 1033 dhe kjo është për shkak të votuesve që kanë mbushur 18 vjet. Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. Në këto zgjedhje do të jenë mbi 2000 vëzhgues vendas dhe të huaj dhe rreth 80 gazetarë të huaj.
Gjatë ditës së djeshme votuan të sëmurët dhe të pafuqishmit, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet zgjedhore komunale. Votoi edhe diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale, pasi për parlamentaret nuk u mbush numri i nevojshëm i kërkesave për organizim të zgjedhjeve.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të votohet për dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare për 17 lista të deputetëve.
Në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut, sipas dispozitës të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, e cila do të zbatohet vetëm për këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria brenda afatit kohor, afati prej nëntë muajsh deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve./KSP