Rajon

Thuajse në gjithë rajonin zgjerohet fushata për bojkotim të dyqaneve

bojkot

Të premten, shumë vende të rajonit i janë bashkuar fushatës së nisur javën e shkuar në Kroaci, për t’i bojkotuar dyqanet e mëdha shkaku i çmimeve të larta. Në disa prej shteteve, qeveritë kanë marrë vendime të reja për çmime tavan, për një numër produktesh bazë.

Është përhapur në shumicën e vendeve të rajonit, nisma e ndërmarrë javën e shkuar nga Agjencia për mbrojtjen e konsumatorëve në Kroaci, për bojkotimin e marketeve që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve.

Në këtë shtet, shitjet kanë rënë për rreth 50 për qind, ndërkaq nga e premtja është vendosur për aksion më të gjerë njëjavor.

Pas kësaj, Qeveria kroate ka reaguar, duke rritur numrin e produkteve, të cilave ua ka caktuar çmimin tavan.

Kryeministri Andrej Plenkoviq ftoi bizneset që të reflektojnë.

“Shteti ka reaguar, por edhe të tjerët duhet të reagojnë. Nuk do të falimentonte askush nëse çmimet do të ishin më të vogla”, tha ai.

Bojkot është organizuar të premten edhe në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri i këtij shteti, Hristijan Mickoski, paralajmëroi kontrolle të rrepta dhe sanksione ndaj supermarketeve që nuk i përmbahen ligjit për çmimet e produkteve.

E, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi, ka shprehur përkrahje të hapur për fushatën e konsumatorëve.

“Ne i mbështesim qytetarët në bojkotim, mbi të gjitha të tregjeve që viteve të fundit kanë rritur jashtëzakonisht çmimet e produkteve pa asnjë logjikë ekonomike”, tha Durmishi.

Mbështetje qeveritare mori nisma edhe në Malin e Zi, ku të premten u bojkotuan dyqanet e mëdha.

Zëvendëskryeministri për ekonomi, Nik Gjeloshaj, ka treguar se për një numër produktesh, Qeveria ka vendosur çmime tavan, që do të jenë në fuqi edhe tre muaj.

E, në Slloveni, si pasojë e bojkotimit, shitjet në bizneset e vogla kanë rënë për 53 për qind në krahasim me një javë më herët.

Bojkotimi u organizua edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi.

Fushata e përfaqësuesve të konsumatorëve është ndërmarrë pas rritjes enorme të çmimeve në produktet esenciale, e sidomos në ato ushqimore.

Në Kroaci çmimet e produkteve ushqimore janë rritur për 30 për qind gjatë tre vjetëve të fundit, ndërsa produktet bazë si vezët apo buka janë shtrenjtuar për 50-60 për qind.

Në Mal të Zi, inflacioni për tre vjet është rritur për 30.5 për qind, ndërsa çmimet e produkteve të ushqimit janë shtrenjtuar për 41 për qind.

Raporti: Shkëlzen Dema