Pas çiklizmit deri në Francë, studentët protestues në Serbi të premten kanë filluar një nismë – afër 2000 kilometra – për të vrapuar deri në Bruksel me qëllim që ta marrin vëmendjen e Bashkimit Evropian për përpjekjet e tyre disamujore kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Më shumë se 20 studentë janë nisur nga qyteti i Novi-Sadit për një ultra-maratonë që pritet të zgjatë 18 ditë. Të përkrahur nga qindra njerëz, studentët janë nisur drejt qytetit lindor të Osijekut në Kroaci, ndalesa e parë e tyre.
Studentët e universiteteve kanë qenë forcë kyçe mbrapa lëvizjes kombëtare kundër qeverisë në Serbi, duke lëkundur presidentin popullist, Aleksandër Vuçiq. Ai formalisht e ka shtyrë Serbinë drejtë anëtarësimit në BE, por është akuzuar për shkelje të të drejtave demokratike derisa i ka forcuar lidhjet me Kinën dhe Rusinë.
Shumë qytetarë pro demokracisë janë të zhgënjyer me atë që ata e shohin si përgjigje e butë e BE-së ndaj autoritarizmit të Vuçiqit.
Protestat në Serbi shpërthyen në fund të vitit të shkuar, kur si pasojë e shembjes së çatisë në një stacion treni në Novi-Sad vdiqën 16 persona. Studentët kanë protestuar pa ndalim në kërkim të përgjegjësisë penale dhe politike.