Rajon

Studentët në Beograd bllokojnë RTS-në

Studentët në Beograd para hyrjes së RTS-së / Foto: N1

Studentët bashkë me qytetarë në Beograd kanë bllokuar objektin e Radio Televizionit të Serbisë nga ora 23:00 të hënën. 

Siç kanë paralajmëruar, bllokimi i hyrjes në televizionin publik është bërë “për ta çliruar RTS-në”, raportoi të martën mediumi serb “Danas”. 

Studentet kanë deklaruar se daljet do të lejohen për të gjithë punonjësit, por askush nuk do të hyjë brenda objektit “derisa të çlirohet ky medium”. 

Studentja Gjurxha Seniq, e cila tërë natën e ka kaluar para RTS-së, ka thënë se nuk është lodhur dhe se as shiu nuk mund t’i ndalojë. 

Përballë RTS-së është edhe Dijana Hrka, nëna e Stefanit, një prej viktimave të shembjes së tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

“Ata janë të gjithë fëmijët e mi. Më mbajnë gjallë, bashkë me djalin tim të vogël. Kam ardhur për të mbështetur, për të luftuar për atë drejtësi. Mbrëmë ishte shumë e shëmtuar që policia sulmoi këta fëmijë. Nuk duhej të ishte kështu. E pashë videon dhe mendoj se duhet të heqin dorë. Kam ardhur këtu herët këtë mëngjes dhe do të qëndroj me ta për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, ka thënë ajo për “N1”.

Pas bllokadës së RTS, studentët e Novi Sadit bllokuan edhe Radio Televizionin e Vojvodinës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se tubimi para RTS-së ka qenë i paparalajmëruar dhe se detyra e policisë është të ruajë rendin dhe qetësinë publike dhe të ndërhyjë në rast të prishjes së tij.

Studentët kanë bërë të ditur se nuk do të hyjnë brenda objektit të RTS-së.