Studentët serbë kanë siguruar mbështetjen e qindra mijëra njerëzve, pas protestave të vazhdueshme në kërkim të përgjegjësisë, për viktimat e 1 nëntorit nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi-Sad. Vendosmëria e tyre ka bërë që të nxiten edhe qytetarët që janë të pakënaqur me politikanët dhe që kanë humbur besimin në institucionet e shtetit. Në Beograd kanë protestuar qindra mijëra njerëz, ndërsa tubimi u mbyll me pak incidente
Qindra mijëra njerëz kanë protestuar në Beograd të shtunën, në tubimin që po shihet si kulmi i protestave disamujore kundër presidentit popullist, Aleksandar Vuçiq, dhe qeverisjes së tij.
Turma të mëdha të njerëzve që protestonin me flamuj bllokuan rrugët e kryeqytetit, pavarësisht reshjeve të herëpashershme të shiut. Njerëzit kishin vështirësi të ecnin nga numri i madh i të pranishmëve. Shumë prej tyre përfunduan pa mbërritur as në vendet për të cilat ishte nisur turma masive.
Pas incidenteve sporadike në mes të protestuesve dhe të policisë, studentët – të cilët kanë organizuar protesta paqësore qe katër muaj – bënë thirrje për fund të protestës të së shtunës, duke thënë se nuk mund të garantonin më shumë sigurinë e të gjithëve. Ata më vonë u raportua të jenë kthyer nëpër fakultete për të kaluar natën. Teksa një pjesë e konsiderueshme e protestuesve u tërhoqën, por mijëra të tjerë mbetën rrugëve në kohën kur nisën tensionet. E për këto tensione, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq u shpreh se “janë ekstremistë që sulmuan studentët protestues, por edhe studentët e ‘Parkut të Pionierëve’”.
Policia ka thënë se turma mbërriti në 107 mijë njerëz në pikë të protestës. Mediat e pavarura serbe e kanë përshkruar tubimin si më të madhin ndonjëherë në shtet, duke thënë se shifrat ishin shumë më të larta.
I gjithë transporti publik në Beograd ishte ndërprerë pasi qytetarët vinin në këmbë në qytet nga drejtime të ndryshme.
Tubimi ishte vazhdimësi e lëvizjes kombëtare serbe antikorrupsion, që shpërtheu pasi një strehë betoni u shemb në një stacion treni në Novi-Sad dhe u mori jetën 15 personave. Kjo pati ndodhur më 1 nëntor të vitit të shkuar.
Protesta gati të përditshme nisën si reagim i menjëhershëm atë kohë. Demonstratat kanë shkundur pushtetin e fortë të Vuçiqit në Serbi, sikur s’ka ndodhur asnjëherë më parë në 13 vjet qëkur është në pushtet. Shumë në Serbi fajësojnë korrupsionin e shfrenuar të qeverisë, neglizhencën dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë së ndërtimit, duke kërkuar llogari për viktimat.
I ftuar me emrin “15 për 15”, tubimi i së shtunës i referohej datës së protestës dhe numrit të njerëzve të vdekur në Novi-Sad. Në nderim të viktimave, turma masive qëndroi për 15 minuta e heshtur në mbrëmje.
Vuçiq: E kuptuam mesazhin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas protestës masive të qytetarëve se pushteti e ka kuptuar mesazhin e tyre. “Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë”, ka thënë ai. Megjithatë, sipas tij, shumica e qytetarëve “nuk e duan revolucionin me ngjyrë”.
Ai ka thënë se po të mos ishin traktorët “do të ishte e vështirë të ndalej gjakderdhja”. Vuçiqi ka thënë po ashtu se 22 persona janë arrestuar e se janë lënduar 56 persona.
E para protestës masive, Vuçiqi në vazhdimësi ka paralajmëruar për “plane për trazira” teksa kërcënoi me arrestime e dënime të rënda për çfarëdo incidenti.
Nëpërmjet fishkëllimave e vuvuzelave qytetarët iu përgjigjën të shtunën. “Ai ka marrë fund”, ishin disa pankarta që mbanin qytetarët. Turma brohoriste në vazhdimësi "Pompoje" si slogan që e kanë përdorur që katër muaj prej kur nisën protestat e udhëhequra prej studentëve.
“Pres që kjo t’ia shkundë autoritetin e tij dhe që Vuçiqi ta kuptojë se njerëzit më nuk janë me të”, ka thënë Milenko Kovaçeviq, protestues në mesin e turmës masive.
Turma e së shtunës nuk është fundi i një lufte për Serbi më demokratike, ka thënë protestuesi tjetër Dejan Simiq. “Ky është vetëm fillimi i fundit. Një proces që shpresoj të marrë fund së shpejti”, ka thënë ai.
Studentët protestues kanë qenë forca kryesore për lëvizjen anti-qeveri me thirrjet e tyre për drejtësi. Vendosmëria e studentëve ka bërë që të nxiten edhe qytetarët që janë të pakënaqur me politikanët dhe që kanë humbur besimin në institucionet e shtetit.
Numri i madh i policëve
Të premten në mbrëmje, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Beograd në pritje të studentëve që vinin në këmbë apo me biçikleta për ditë të tëra nga e gjithë Serbia në drejtim të kryeqendrës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, i tha transmetuesit publik RTS se 13 persona janë arrestuar gjatë natës. Ai ka thënë se Policia ka ndaluar gjashtë aktivistë të opozitës për siç u shpreh ai, tentim të organizimit të një grushtshteti dhe shkaktim të trazirave.
Para mëngjesit të së shtunës, mijëra serbë u mblodhën në zona të ndryshme të qytetit teksa marshonin në drejtim të qendrës. E gjithë zona u mbush me njerëz disa orë para orarit të caktuar për nisje të marshit kryesor.
Pas tensioneve, Policia ka thënë se e ka arrestuar një burrë që u fut me veturë në turmën në afërsi të qendrës, duke lënduar tre persona. Qindra zyrtarë policorë ishin angazhuar brenda dhe jashtë objekteve qeveritare dhe përpara pallatit presidencial.
Shumica e linjave hekurudhore dhe të autobusëve në drejtim të Beogradit ishin anuluar, në përpjekje që dukej se bëhej me qëllim për të parandaluar pjesëmarrjen e njerëzve në tubim. Kompania e transportit ka thënë se anulimi u bë për shkak të “arsyeve të sigurisë”.
Disa gazetarë nga shtetet fqinje, si Kroacia dhe Sllovenia, u refuzuan të hynin në Serbi. Atyre iu ndalua hyrja në kufi nën arsyetimin se prania e tyre në tubimin e organizuar “paraqet rrezik për sigurinë”.
Akuza Perëndimit
Vuçiqi ka refuzuar prerazi propozimet për një qeveri kalimtare që do të përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme. Në mes të tensioneve, mbështetësit e Vuçiqit patën ngritur një kamp në qendër të Beogradit, para zyrave të tij shtetërore. Aty përfshiheshin ish-pjesëtarë të njësive paramilitare të cilat ishin të përfshira në vrasjen më 2003 të ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq. Po ashtu në këtë grup ka pasur edhe huliganë të futbollit, të cilët njihen për shkaktim të dhunës.
Televizioni privat “N1” të shtunën ka transmetuar pamje në të cilat shiheshin disa burra të rinj me kapela bejsbolli teksa hynin në kampin pro-Vuçiqit.
Vuçiqi ka akuzuar në vazhdimësi shërbimet perëndimore të inteligjencës se po qëndrojnë prapa protestave gati të përditshme të studentëve me qëllim të rrëzimit të tij nga pushteti. Por asnjëherë nuk ka ofruar dëshmi për këto pretendime.
Tubimet e mëhershme të studentëve në qytete të tjera të Serbisë përfundonin paqësisht, edhe pse kishin po ashtu numër të madh të pjesëmarrësve./AP
