Studentët e Novi Sadit kanë bllokuar gjatë mesnatës hyrjet e Kuvendit të Qytetit ku të martën është paralajmëruar për seancë nga ora 10:00.
Policia ka reaguar duke rrahur studentët, ku disa prej tyre mbetën të lënduar.
Studentët kanë qëndruar gjithë natën para objektit, ndërsa në mëngjes u janë bashkuar edhe qytetarët.
Opozitarët pasi hynë brenda kuvendit, në fillim të seancës kanë qëndruar në foltore duke mbajtur pankarta “ju janë gjakosur duart”, “pa drejtësi për popullin, pa paqe për qeverinë”.
Të gjitha hyrjet e Kuvendit të Qytetit në Novi Sad janë bllokuar një natë para seancës në të cilën do të votohej buxheti dhe 160 pika të tjera të rendit të ditës.
Plani i studentëve, siç raporton “N1”, është që të qëndrojnë sa të zgjasë seanca.
Ashtu si në seancat e mëparshme, objekti është i rrethuar dhe policët po ruajnë hyrjen.
Gjatë këtij bllokimi, një person është arrestuar. Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, i dyshuari nuk i është bindur urdhrave të Policisë.
“Sonte, rreth orës 02:00, një numër qytetarësh kanë bllokuar të gjitha hyrjet në Kuvendin e Qytetit të Novi Sadit, duke ngritur rrethoja mbrojtëse dhe duke lidhur me zinxhirë të gjitha dyert e hyrjes. Qytetarët e mbledhur nuk e përfillën urdhrin e qartë të policisë që të largoheshin nga zona ku qëndronin ilegalisht, të hiqnin barrierat dhe të lejonin kalimin e punonjësve të policisë”, thuhet në njoftim.