Rajon

Rutte në bisedë telefonike me Vuçiqin: Është e rëndësishme të punojmë për stabilitetin në Ballkan

Mark Rutte

Mark Rutte

Foto: Associated Press

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku tha se diskutuan mbi stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Rutte ka shkruar në X të hënën se është e rëndësishme “që të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mbështetur stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor”.

Shefi i NATO-s ka përmendur edhe partneritetin me Serbinë.

“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë bashkërisht, që të mbështesim stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë partneritetin me Serbinë”, ka thënë Rutte.

Për bisedën me Rutten ka njoftuar edhe presidenti serb. Vuçiq ka shkruar në Instagram se ruajtja e paqes është interes me prioritet i të gjithë njerëzve që jetojnë në rajon. Ai ka thënë se kanë theksuar “rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme dhe serioze”. Vuçiq u shpreh se zyrtarit të NATO-s ia ka paraqitur edhe qëndrimet “për situatën në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë”.

“Ne kemi aranzhuar edhe një takim në Bruksel brenda muajit të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Vuçiqit.