Qindra protestues kanë bllokuar hyrjen e ndërtesës së televizionit publik të Serbisë në Beograd të martën, duke e fajësuar për atë që ata pretendojnë se ishte raportim i njëanshëm dhe për animin nga qeveria gjatë demonstratave në vazhdim.
Studentët e universitetit kanë mbajtur tubime pothuajse të përditshme që filluan pasi një strehë betoni është shembur në nëntor në një stacion hekurudhor në Novi Sad, duke lënë të vdekur 16 njerëz, raporton AP.
Protestat e vazhdueshme kanë tronditur sundimin populist të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe kontrollin e tij të fortë në pushtet.
Shumë në Serbi besojnë se streha e betoni është rrëzuar për shkak të punës së dobët të rinovimit, të nxitur nga korrupsioni qeveritar.
Studentët po kërkojnë përgjegjësi të plotë për tragjedinë, thirrje kjo që ka marrë një mbështetje të gjerë në mesin e qytetarëve të cilët janë kryesisht të zhgënjyer nga politikanët dhe kanë humbur besimin tek institucionet shtetërore.
Të martën është mbledhur edhe parlamenti serb për një debat përpara se të votohet për qeverinë e re.
Kryeministri i emëruar, Djuro Macut iu drejtua ligjvënësve, duke thënë se ai shpreson se votimi dhe puna e tij "do të jenë në dobi të Serbisë".
Parlamenti pritet të votojë për qeverinë e re këtë javë.