Rajon

Presidenca maqedonase e justifikon përdorimin e emrit “Maqedoni”

Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova

Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova / Foto: AP

“Presidentja maqedonase në daljet e saj publike ka të drejtë të përdorë emrin 'Maqedoni', si akt i së drejtës personale për vetëvendosje dhe vetidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”.

Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, pas reagimeve të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, por edhe të Bashkimit Evropian rreth përdorimit të emrit të vjetër të shtetit gjatë ceremonisë së betimit.

Ndër tjerash në komunikatë thuhet se “presidentja Gordana Silanovska-Davkova do t'i përmbahet përdorimit zyrtar të emrit kushtetues”. Aty sqarohet se betimin solemn, Davkova e ka nënshkruar bazuar në Kushtetutën e vendit, respektivisht me emrin kushtetues.

Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të dielën, më 12 maj, gjatë betimit nuk e përmendi emrin Maqedoni e Veriut, por vetëm Maqedoni.

“Betohem se do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, kishte deklaruar Davkova duke lexuar betimin si presidente para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me këtë, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se Athina nuk do të tolerojë “lapsuse” të tjera të krerëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, në raport me detyrimet që kanë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

Mitsotakis ka thënë se “Greqia refuzon manipulime si ato, me të cilat zonja Silanovska hapi mandatin e saj” dhe i bëri thirrje që t’i respektojë detyrimet ligjore dhe t’u përmbahet obligimeve që dalin nga roli i saj si presidente.

“Ne deklarojmë se kategorikisht nuk do të pranojmë ‘lapsuse’ të ngjashme. Dhe, përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj. Dhe, sigurisht, nga shmangia e sfidave”, transmetojnë mediat greke një deklaratë të kryeministri grek, Mitsotakis.

Në vitin 2018 Shkupi dhe Athina kanë nënshkruar atë që njihet si Marrëveshja e Prespës, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.

Kjo marrëveshje i ka dhënë fund kontestit shumëvjeçar duke ua hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

Lidhur me zhvillimet që nxiti betimi i presidentes së re, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian (BE) duke shprehur keqardhje që Gordana Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit.

“BE-ja rithekson rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha zëdhënësja e BE-së për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, Nabila Massrali, në një komunikatë të dielën.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve kushtetuese thanë se Gordana Siljanovska Davkova gjatë dhënies së betimit si presidente e Maqedonisë së Veriut, duke përdorur emrin e vjetër të shtetit, ka bërë shkelje të Kushtetutës.

Sipas tyre, ajo duhet të respektojë Kushtetutën dhe kjo nënkupton se ajo emrin e shtetit duhet ta përdorë, si në të folur, ashtu edhe në të shkruar.

“Në rastin e dhënies së betimit Gordana Siljanovska Davkova ka vepruar me standard të dyfishta. Gjatë leximit të betimit ka përdorur emrin Maqedoni ndërsa nënshkrimin e aktit e ka bërë me emrin Maqedonia e Veriut. Kjo është e papranueshme dhe veprim antikushtetues”, ka deklaruar një anëtar i Gjykatës Kushtetuese për Radion Evropa e Lirë.

Marrëveshja e Prespës

Marrëveshja e Prespës nga pala maqedonase ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe Qeveria që drejtohej nga ai. Qeveria që pasoi, e drejtuar nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski (po ashtu nga Lidhja Social Demokrate sikurse Zaev), ka respektuar në tërësi detyrimet e kësaj marrëveshjeje, duke përdorur emrin Maqedonia e Veriut.

Marrëveshja me Greqinë në vazhdimësi është kundërshtuar nga VMRO DPMNE-ja, e cila në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërsa drejtuesit e saj në disa raste kanë përsëritur se në komunikimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar do të përdorin emrin e vjetër të shtetit.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, që drejtohet nga ministri në largim, Bujar Osmani, ka bërë thirrje që të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo ministri ftoi për vigjilencë nga ana e aktorëve politikë, veçanërisht, siç thekson, nga të zgjedhurit e rinj të shtetit.

“Gjatë shtatë vjetëve të fundit, të dyja vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar me një rritje të shumëfishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes njerëzve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe me përmirësimin e partneritetit strategjik në një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara".

"Bëjmë thirrje për vigjilencë nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht të zgjedhurit e shtetit. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit, paraqet interes themelor strategjik dhe është garantues i sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Bazuar në Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia e Veriut detyrohet që emrin e ri të shtetit ta zbatojë, si në përdorim të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Athina zyrtare së fundi kishte refuzuar një kërkesë të Shkupit për shtyrjen e afatit për ndërrimin e dokumenteve personale edhe pas 12 shkurtit 2024, për shkak të pamundësisë për ndërrimin e tyre brenda kohës së paraparë.

Pala greke në disa raste ia ka rikujtuar Shkupit se moszbatimi i të gjitha obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, mund të ketë pasoja në procesin e integrimit të saj në BE.


Presidentja e Maqedonisë së Veriut shkakton polemika në inaugurim, reagon BE-ja

Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, derisa është betuar për postin e ri të dielën, rindezi një grindje diplomatike me Greqinë fqinje. 

Në ceremoninë e mbajtur në Parlamentin e vendit, Siljanovska-Davkova e quajti vendin vetëm si "Maqedoni", duke mos e respektuar Kushtetutë, ku sipas saj, emri i këtij shteti është "Maqedonia e Veriut".

Kjo bëri që ambasadorja greke Sophia Philippidou të largohej nga ceremonia e inaugurimit. Ministria e Jashtme greke më vonë lëshoi një deklaratë, duke thënë se veprimet e presidentes së re shkelin marrëveshjen midis dy vendeve dhe vënë në rrezik marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivat e Maqedonisë së Veriut për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Për këtë veprim, ajo mori kritika edhe nga BE-ja.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka quajtur jo të duhur zgjedhjen e fjalëve të Siljanovska-Davkovas.

“Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme për anëtarësimin në BE, është parësore që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ka shkruar ajo në platformën X, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2018 mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, raportoi “AP News”.

Pak orë më vonë, von der Leyeni ka uruar zgjedhjen e presidentes së re. 

“Urime për Gordana Siljanovska-Davkova, që u bë presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut. Udhëheqja juaj vjen në momentin vendimtar, derisa vendi juaj përparon në reforma dhe vazhdon rrugën drejt BE-së”, thuhet në shkrimin e saj. 

Kundër deklaratës së saj në ceremoninë e inaugurimit, ka dalë edhe Bullgaria. Ministri i Jashtëm bullgar, Dimitar Glavçev, ka thënë se vendi i tij nuk pranon deklarata që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017.

“Bullgaria në mënyrë të përsëritur dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze,” tha Glavçev.

Përdorimi i emrit "Maqedonia" provokon një reagim të fortë grek, me Greqinë që akuzon fqinjin e saj verior për përvetësimin e një emri grek dhe historinë e Mbretërisë së Lashtë Greke të Maqedonisë, e cila ka ekzistuar shekuj para popullit sllav.

Mosmarrëveshja dhjetëvjeçare u zgjidh në vitin 2018 , kur të dyja palët nënshkruan një marrëveshje dhe u miratua emri kushtetues “Maqedonia e Veriut”. Greqia më pas hoqi kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe aplikimit për anëtarësim në BE.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga qeveria që udhëhiqej nga qendra e majtë e Maqedonisë së Veriut, kundër dëshirës së opozitës, përkatësisht të qendrës së djathtë, të cilës i përket Siljanovska-Davkova.
Siljanovska-Davkova është presidentja e gjashtë që kur vendi fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në 1991.

“Nuk mund ta imagjinoja se do ta merrja këtë lloj besimi nga mbi 560 mijë qytetarë. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve. Do të mundohem të justifikoj këto mijëra vota, të cilat janë jo vetëm dhurata më e bukur për ditëlindjen time, por edhe detyrimi më i madh që kam pasur në jetë. Është koha për unitet”, ka thënë Siljanovska-Davkova.