Ministria e Punëve të Brendshme e entitetit të Republikës Sërpska (MUP RS) ka penguar anëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të hyjnë në ndërtesën e Qendrës Administrative të Qeverisë së Republikës Sërpska në Sarajevën Lindore, ku po zhvillohet një takim mes Milorad Dodik, dhe përfaqësuesve të Qytetit të Sarajevës Lindore.
Lajmin për pengimin e hyrjes në ndërtesën ku po qëndronte presidenti i Republikës Sërpska (RS), Milorad Dodik, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga vetë SIPA.
Kjo agjenci deklaroi se anëtarët e saj po vepronin sipas një urdhri të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe se nuk është përdorur forcë.
Dodik, kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq dhe kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishoviq, janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues. Për ta është lëshuar një fletarrestim qendror në Bosnje dhe Hercegovinë që nga mesi i marsit, pasi nuk janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës për t’u marrë në pyetje.
Më herët, Gjykata e Bosnjës i kishte kërkuar INTERPOL-it që të rishikojë vendimin për refuzimin e kërkesës për lëshimin e një njoftimi të kuq ndaj përfaqësuesve të udhëheqjes së Republikës Sërpska.
INTERPOL nuk ka lëshuar një njoftim të kuq ndërkombëtar për Dodikun, Stevandiqin, pasi Gjykata e Bosnjës i ishte drejtuar me kërkesë më 27 mars.
Prokuroria e Bosnjës më herët kishte kërkuar lëshimin e fletarrestimit ndërkombëtar, duke theksuar se Dodik dhe Stevandiq, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në RS, kanë shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnje e Hercegovinës”.
Të dy zyrtarët janë larguar dhe janë kthyer në Bosnje dhe Hercegovinë disa herë që nga lëshimi i urdhrit qendror për arrestimin e tyre.
Pas një vendimi të shkallës së parë në fund të shkurtit, me të cilin Millorad Dodik u dënua me një vit burg dhe iu ndalua angazhimi në politikë për një periudhë prej gjashtë vjetësh, autoritetet në Republikën Sërpska miratuan një sërë ligjesh që ndalojnë funksionimin e organeve shtetërore gjyqësore dhe hetimore të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.