Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Plenkoviqi kritikon Serbinë në OKB për glorifikimin e Mlladiqit

Andrej Plenkoviq

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka mbajtur fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku ka bërë thirrje për reformimin e OKB-së, ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe ka kritikuar ashpër zhvillimet e fundit në Serbi dhe situatën politike në Bosnjë e Hercegovinë.

Një pjesë të fjalimit të tij Plenkoviq ia kushtoi zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve në rajon, duke kritikuar varrosjen me nderime shtetërore të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, në Beograd. Mlladiq, i cili vdiq në fund të gushtit në Hagë, u varros në prani të zyrtarëve serbë dhe me nderime ushtarake.

“Nderimet ushtarake dhe shtetërore që iu dhanë Mlladiqit në Serbi ishin fyerje për viktimat e tij dhe për aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare”, ka thënë Plenkoviq.

Ai shtoi se një qëndrim i tillë i autoriteteve serbe është në kundërshtim të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit Serbia synon të bëhet.

Duke folur për Bosnjën e Hercegovinën, në prag të zgjedhjeve të ardhshme, kryeministri kroat rihapi çështjen e sistemit zgjedhor, duke pretenduar se kroatëve në Bosnjë e Hercegovinë “vazhdon t’u mohohet përfaqësimi legjitim”, përfshirë përfaqësimin në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.

Plenkoviq e cilësoi këtë situatë si të padrejtë dhe destabilizuese për të gjithë rajonin.

Edhe Specialja, arkivat e Serbisë dhe Lugina, në fokus të takimit Kurti-Plenkoviq Arbëri Specialja, arkivat e Serbisë dhe Lugina, në fokus të takimit Kurti-Plenkoviq

“Zgjidhja nuk është as ndarja, as dominimi. Zgjidhja është një reformë zgjedhore e menduar mirë, e cila mbron çdo qytetar, duke siguruar njëkohësisht rikthimin e parimit themelor të përfaqësimit legjitim politik të popujve përbërës”, theksoi Plenkoviq në fjalimin e tij në OKB.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, ai u shpreh se “paqja nuk mund ta shpërblejë pushtimin dhe rimëkëmbja nuk mund të ndahet nga drejtësia”, duke theksuar se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë Kievin.

Plenkoviq bëri gjithashtu thirrje për një OKB më funksionale dhe për reformimin e Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që kjo organizatë të mund t’u përgjigjet më mirë sfidave bashkëkohore gjeopolitike dhe teknologjike.