Përplasje fizike, tym, gazlotsjellës e flakë ka pasur në mbledhjen e Kuvendit të Serbisë të martën.
Pas ndezjes së mjeteve piroteknike kryeparlamentarja Ana Bërnabiq ndërpreu punimet.
Partitë opozitare kishin paralajmëruar se s’do të jenë pjesë e punimeve të Kuvendit, përderisa studentët e qytetarët janë duke protestuar vazhdimisht në kërkim të drejtësisë për vdekjen e 15 personave në nëntor nga rrëzimi i strehës së një stacioni hekurudhor në Novi-Sad.
Protestuesit e fajësojnë pushtetin për korrupsion.
Te përplasja erdhi pasi deputetët e pushtetit miratuan rendin e ditës që u kundërshtua nga opozita. Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë. Aty përfshihen edhe kërkesat e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar. Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve. Opozita kërkoi që në rend dite të ishin vetëm ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Lartë, duke thënë se Qeveria që ka shpallur dorëheqjen, nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme.
Pas incidentit Bërnabiq u shpreh se një nga deputetet ka pësuar sulm dhe është në rrezik. “Gruaja po lufton për jetën e saj pas shpërthimeve tuaja”, u ka thënë Bërnabiq deputetëve. Sipas saj, edhe një tjetër deputete ka pasur tronditje.
Tre deputetë të lënduar nga përplasja fizike dhe tymi në Kuvendin e Serbisë
Të paktën 3 ligjvënës janë lënduar të martën, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, si pasojë e skenave kaotike në parlamentin e Serbisë, gjatë të cilave u hodhën bomba tymi dhe flakë.
Ligjvënësit ishte planifikuar të votonin një ligj që do të rriste fondet për arsimin universitar, por partitë e opozitës këmbëngulën se seanca ishte e paligjshme dhe fillimisht duhet të konfirmonin dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq dhe qeverisë së tij, raporton AP.
Kaosi parlamentar ka nisur rreth një orë pasi ka filluar seanca, teksa opozita mbante një pankartë ku shkruhej "Serbia u ngrit që regjimi të bjerë!".
Pamjet e publikuara nga salla e kuvendit treguan fillimisht një përplasje mes ligjvënësve dhe më pas flakët dhe bombat tymi duke u hedhur. Mediat serbe kanë raportuar se janë hedhur edhe vezë dhe shishe uji.
Zyrtarët më vonë kanë thënë se tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e trazirave.
Kryetarja e parlamentit, Ana Brnabiq ka akuzuar opozitën si një "bandë terroriste".
Ajo ka thënë se njëri nga deputetët e lënduar është në gjendje të rëndë.
Incidenti pasqyron një krizë të thellë politike në vendin ballkanik, ku protestat mujore kundër korrupsionit kanë tronditur qeverinë populiste.
Vuçeviq ka dhënë dorëheqjen nga posti në janar pasi autoritetet u përballën me protesta për shembjen në nëntor të një tende betoni në veri të Serbisë, që ka lënë të vdekur 15 njerëz, dhe për të cilin kritikët fajësuan korrupsionin e shfrenuar.
Parlamenti duhet të konfirmojë dorëheqjen e kryeministrit që ajo të hyjë në fuqi.
Lista Serbe: Opozita në Serbi po e kopjon Albin Kurtin
Lista Serbe ka reaguar pas përplasjes fizike dhe tymit në Kuvendin e Serbisë, duke thënë se këto skena po kopjohen nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që sipas kësaj partie, erdhi në pushtet me dhunë.
Në reagimin e Listës Serbe thuhet se opozitarët në Kuvendin e Serbisë e kanë përdorur tymin kuq e zi për ta lumturuar Kurtin.
“Skenat e turpshme dhe inskenimi i kuazi-opozitës në Kuvendin e Serbisë u kopjuan nga ndihmësi i tyre Albin Kurti, i cili erdhi në pushtet në Prishtinë me dhunë dhe idenë për të dëbuar çdo gjë serbe. Pa dashur të fshehin aleancën e tyre me Kurtin, opozitarët e sotëm janë përpjekur të përdorin tymi kuq e zi për të lumturuar Kurtin dhe regjimin e tij të mundshëm në zgjedhje”, thuhet në reagim.
Tutje kjo parti ka shprehur mbështetjen e plotë të popullit serb në Kosovë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të mos jenë instrument në duart e atyre që përsëri, siç bënë 13 vjet më parë, do të plaçkitin dhe shkatërrojnë vendin tonë”, thuhet tutje në reagim.
Bërnabiq me gjuhë fashiste ndaj shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë
Në mes të tensioneve dhe përplasjeve në Parlamentin e Serbisë, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq, ka bërë propagandë në foltore duke i thënë opozitës serbe se janë “heronj të Albin Kurtit dhe të mediave në Kosovë”. Ajo vazhdimisht përdori gjuhë fashiste duke përdorur fjalën “shiptari”.
Ajo teksa fliste mbante në duar shkrimet e mediave në Kosovë që kishin raportuar për situatën e shkaktuar të martën.
Bërnabiq ka thënë se për shkak të tymit dhe gazit opozita në Serbi “po shihet si heroinë” nga shqiptarët.
