Prokurori publik i Serbisë ka paditur të hënën 13 persona, duke përfshirë një ish-ministër, për shembjen e një strehe të stacionit të trenit, që la të vdekur 15 persona muajin e kaluar dhe shkaktoi protesta masive antiqeveritare për javë të tëra.
Të dyshuarit u akuzuan në qytetin verior të Novi Sadit, ku ndodhi kolapsi më 1 nëntor, për kryerjen e një vepre të rëndë penale kundër sigurisë publike dhe kryerjen e parregullt të punëve ndërtimore.
Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me 12 vjet burgim, raporton AP.
Streha e madhe prej betoni ishte pjesë e një ndërtese të një stacioni hekurudhor, e cila u rinovua dy herë në vitet e fundit, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të infrastrukturës me kompanitë kineze.
Shumë në Serbi besojnë se puna në stacion ishte e ngadaltë për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe se kjo çoi në rrëzimin e tendës.
Fillimisht 14 persona vdiqën dhe tre të tjerë u lënduan, ndërkaq një person tjetër vdiq më pas në spital.
Zemërimi i përhapur për rastin ka shkaktuar protesta në rrugë me javë të tëra kundër presidentit populist Aleksandër Vuçiq dhe qeverisë së tij.
Aktakuza duhet të konfirmohet nga gjykata që të bëhet e vlefshme.
Prokurori në Novi Sad gjithashtu ka bërë thirrje që të dyshuarit të ndalohen në pritje të procedurës kundër tyre.
Përveç ish-ministrit të ndërtimit, Goran Vesiq, të tjerë përfshijnë zyrtarë dhe ata që ishin përgjegjës për punën e rinovimit.
LEXO EDHE: