Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Ministri irlandez: Varrimi shtetëror për Mlladiqin ose pjesëmarrja e pushtetit në të, të papranueshme për BE-në

Një fëmijë me përshëndetje ushtarake para fotografisë së kriminelit, Ratko Mlladiq jashtë një kishe në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës. Foto: AP

Një fëmijë me përshëndetje ushtarake para fotografisë së kriminelit, Ratko Mlladiq jashtë një kishe në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës

Foto: Associated Press

Varrimi shtetëror për të dënuarin për krime lufte, Ratko Mlladiq ose pjesëmarrja e anëtarëve të Qeverisë së Serbisë në varrimin e tij janë të papranueshme për Bashkimin Evropian, ka paralajmëruar Thomas Byrne, ministri irlandez për Çështjet Evropiane, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e bllokut evropian.

Ai konfirmoi se zyrtarët evropianë “po punojnë shumë në prapaskenë” lidhur me këtë çështje.

“Besoj se një varrim shtetëror do të ishte i papranueshëm. Sa kuptoj unë, në fakt nuk po organizohet një varrim shtetëror, por është krejt e mundshme që zyrtarë të lartë të pushtetit t’i bëjnë nderime atij personi. Pra, edhe kjo është e papranueshme”, deklaroi Byrne para takimit joformal të ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Irlandë.

Ai i cilësoi zhvillimet gjatë viteve ’90 në rajonin e Ballkanit Perëndimor si “të neveritshme”.

“Por, mos kini asnjë dyshim, ajo që po ndodh atje, sipas mendimit tim, ende u shkakton dhimbje njerëzve, veçanërisht në atë rajon, por edhe në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian”, vlerësoi Byrne.

Edhe Serbia e pret me nderime të larta ushtarake trupin e kriminelit të luftës Mlladiq Rajon Serbia e pret me nderime të larta ushtarake trupin e kriminelit të luftës Mlladiq

Aeroplani me trupin e pajetë Ratko Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, arriti të enjten, më 3 shtator, në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit. Në aeroplan, përveç anëtarëve të familjes, ndodheshin edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, dhe dy bashkëluftëtarë të Mlladiqit.
Arkivoli me trupin e Mladiqit ishte i mbuluar me flamurin e Serbisë dhe u mbajt nga pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë.

Djali i tij deklaroi se Mlladiqi do të varroset të hënën, më 7 shtator, në varrezat e Topçiderit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë më herët se pret që djali i Mladiqit “në ditët në vijim t’i njoftojë të gjithë për atë që dëshiron familja”. Megjithatë, ai ka shtuar se shteti do të jetë i gatshëm të ofrojë çdo lloj mbështetjeje logjistike, transporti dhe të tjera, si dhe të ndihmojë në ruajtjen e rendit publik, paqes dhe sigurisë.

Më herët, ministri Vujiq kishte thënë se Mlladiqi do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.

Komisioni Evropian, ndërkaq, ka thënë se u takon autoriteteve të Serbisë të vendosin se çfarë roli do të kenë në varrimin e Mlladiqit, por ka theksuar se madhërimi i kriminelëve të luftës është në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane dhe se për të nuk ka vend as në Bashkimin Evropian, as në vendet kandidate për anëtarësim.
Ministri irlandez për Çështjet Evropiane bëri thirrje se është koha për ta lënë të kaluarën pas dhe për të punuar në pajtimin, si dhe që procesi i pajtimit në Ballkanin Perëndimor të vazhdojë.

Edhe Serbia e glorifikon figurën e kriminelit Mlladiq Rajon Serbia e glorifikon figurën e kriminelit Mlladiq

Tribunali i Hagës e dënoi Ratko Mlladiqin me burgim të përjetshëm më 8 qershor 2021.

Gjykata konstatoi se ai ishte fajtor për gjenocidin e kryer ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, në verën e vitit 1995.