Rajon

Ministri i Dodikut tallet me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Nenad Neshiq

Ministri i Sigurisë i Bosnjë-Hercegovinës, Nenad Neshiq, është tallur me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë në një paraqitje në televizionin serb “Happy TV”.

Neshiq është pjesë e partisë së Millorad Dodikut, president i etnitetit serb të Bosnjës, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Neshiq ka pasur retorikë të zakonshme kundër gjenocidit të Srebrenicës, por në paraqitjen e fundit ai shkon një hap më tej.

“Nëse më lejoni të tregoj një shaka... në një varrim, i kërkuan Mujës së vogël të tregonte të dhënat bazike. Ai thotë: ‘I lindur në Sarajevë, i varrosur në Srebrenicë, jeton në Gjermani’ “, ka thënë Neshiq duke buzëqeshur.

Prezantuesi më pas i thotë se është paditur nga “Nënat e Srebrenicës” për një deklaratë të ngjashme, ndërsa Neshiq i përgjigjet “ndoshta do të më padisin edhe mua tani”.

“Kjo dhe deklarata të ngjashme janë tregues i vërtetë se pse botës i duhet një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë. Edhe pse mesazhet e rezolutës janë universale dhe është në interes të gjithë botës, miratimi i saj do të çimentojë mesazhin se mohimi i gjenocidit në Srebrenicë është akt anti-civilizimi”, shkruan media boshnjake “Klix”.

Më 23 maj do të mbahet seanca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për rezolutën për Srebrenicën.

VIDEO:

Për gjenocidin ndaj mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë në rajonin e Srebrenicës më 1995, janë dënuar më shumë se 50 persona me gati 700 vjet burgim.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e njeh këtë akt si gjenocid.

Ky krim konsiderohet më i rëndi në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe për të janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burgim gjithsej.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, nuk e pranojnë të jetë kryer gjenocid në Srebrenicë.