Rajon

Mijëra serbë protestojnë kundër Vuçiqit

protesta

Për më se një muaj e gjysmë, rrugët e qyteteve të ndryshme të Serbisë janë mbushur me protestues anti-Qeverisë. Edhe këtë të premte, në Beograd qytetarë e studentë bllokuan rrugë e mbajtën 15 minuta heshtje për 15 të vdekurit nga rënia e çatisë së stacionit të rinovuar hekurudhor në Novi-Sad. E nga Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq kërkuan përgjegjësi për fatkeqësinë

Beograd, 13 dhjetor (AP) – Me mijëra njerëz u mblodhën të premten në Beograd për të mbajtur 15 minuta heshtje, në protestën e vazhdueshme kundër udhëheqjes populiste të presidentit, Aleksandar Vuçiq, pas vdekjes së 15 personave nga shembja e strehës së betonit në çatinë e stacionit hekurudhor në Novi-Sad.

Protestuesit kanë bllokuar trafikun, sikurse çdo të premte që nga 1 nëntori, fiks në orën 11:52 kur pati ndodhur rrëzimi i çatisë afro një muaj e gjysmë më parë.

Dushan Kokot, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Arsimit të Serbisë ka shprehur vullnetin për të qëndruar pranë studentëve që protestonin.

“Mendoj se mësuesit sot treguan se janë të gatshëm të qëndrojnë pranë nxënësve të dikurshëm dhe aktualë. Edhe nëse e kanë gabim, megjithëse nuk e kanë gabim për asgjë, por edhe nëse e kanë gabim, ky vend është i tyre dhe ne do t'u qëndrojmë me gjithë zemër deri në fund”, ka thënë ai.

Protestuesi Millan Bjellanoviq, student në Universitetin e Beogradit, është shprehur se me tubimin nëpër rrugë po kërkohet që autoritetet kompetente të marrin përgjegjësi për fatkeqësinë.

“Jemi të gjithë pjesëmarrës në këtë protestë aktive, sepse duam përgjegjësi për ngjarjet që kanë ndodhur muajin e kaluar”, ka theksuar Bjellanoviq.

Në ngjarjen e nëntorit, të vdekur fillimisht mbetën 14 persona dhe tre janë lënduar, teksa një tjetër ka vdekur më vonë në spital.

Çatia e stacionit hekurudhor u rrënua pak kohë pasi objekti u rihap pas renovimit të bërë në të. Shumë njerëz në Serbi kanë ngritur dyshimin se është korrupsioni i madh ai që ka ndikuar në zhvillimin e ngadaltë dhe me mangësi të punimeve të rinovimit, në të cilat janë angazhuar kompanitë kineze të ndërtimit.

Rënia e çatisë ka ndezur pakënaqësitë në Serbi për sundimin autokratik të presidentit Vuçiq dhe që atëherë janë mbajtur protesta për çdo të premte në dhjetëra qytete.

Mediet serbe raportuan se një makinë u përplas me protestuesit në një pikë bllokimi në Novi-Sad.

Një incident i ngjashëm u raportua një javë më parë kur katër muzikantë u lënduan gjersa merrnin pjesë në një protestë të heshtur në qendër të Beogradit.

Protestat në rrugë në javët e fundit gjithashtu u kthyen herë pas here në të dhunshme kur banditë proqeveritarë u shfaqën për të ndërprerë tubimet e udhëhequra nga opozita dhe demonstratat studentore.

Mësimet në më shumë se 50 fakultete dhe një numër shkollash të mesme në gjithë Serbinë janë pezulluar prej ditësh.

Fermerët e Serbisë gjithashtu të premten bllokuan një rrugë në Serbinë qendrore me traktorët e tyre, duke mbajtur një pankartë me një dorë të përgjakur.

Edhe aktorë të shquar u mblodhën jashtë Teatrit Kombëtar në Beograd për të protestuar.