Nimanbegu mori besimin e 19 asamblistëve të Kuvendit Komunal të Ulqinit, pasi 20 prej tyre fillimisht shkarkuan Omer Bajraktarin e Lëvizjes Qytetare “URA”, parti që ka kryetar ish-kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Debati për shkarkimin e Bajraktarit nisi dje nga ora 18:00. Pas disa orësh, dikush dyshohet se hodhi gaz lotsjellës në sallë. Pas saj, u ndal edhe rryma. Asamblistët u larguan nga Kuvendi Komunal, ndërsa intervenoi policia.
Nuk pati të lënduar.
Kryetari i Prokurorisë Themelore të Shtetit në Ulqin, Denis Zvrko, ka thënë se zyrtarët policorë janë duke konstatuar nëse në sallë është hedhur gaz lotsjellës, sprej apo ndonjë substancë tjetër.
Ai ka konfirmuar se prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen.
Shumica e re në Ulqin tani përbëhet nga Forca e Re Demokratike, Aleanca Demokratike, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Partia Socialdemokrate (SDP), Social Demokratët (SD) dhe Partia Boshnjake (BS).