Tani për Qeverinë italiane – që e ka pasur imigrimin si pikë kyçe në fushatë dhe që i ka kritikuar qeverisjet e shkuara për shpenzimin e parave në menaxhim të krizave me refugjatë – në pyetje është besimi i popullit
Një marrëveshje multimiliondollarëshe mes Italisë dhe Shqipërisë me cak uljen e imigrantëve i ishte prezantuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si model i ri për të vendosur jashtë Bashkimit Evropian qendrat e ndalimit për azilkërkuesit.
Marrëveshja lejon që deri në 3.000 emigrantë - që kapen nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare - të dërgohen në Shqipëri, ku do të vlerësohen për fitimin e azilit në Itali, apo kthimin mbrapsht në vendet e tyre. Por duket se as Von der Leyen, e as kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, nuk i kanë marrë parasysh ligjet ekzistuese.
Vetëm një muaj pas nisjes së procesit të shumëpërfolur, vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në Shqipëri dhe asnjë s’ka mbetur aty. Pesë kanë kaluar më pak se 12 orë në qendrën e mbajtjes, ndërsa shumica qëndruan nga pak më shumë se 48 orë.
Të gjithë u transferuan në Itali, pasi gjykata italiane e konsideronte shkelje që t’i ndalë në Shqipëri para riatdhesimit në shtete, si Bangladeshi e Egjipti, që nga Roma konsiderohen si “të sigurta”. Duke vepruar kështu, gjykatat po i referohen një vendimi të 4 tetorit të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, se një shtet jashtë bllokut nuk mund të konsiderohet i sigurt përderisa i gjithë territori i tij të shihet si i sigurt.
Turpërimi i Italisë mbi këtë skemë, ndaj të cilit ka pasur reagime të ashpra të opozitës që e ka quajtur “dështim total” – e që shtetit do t’i kushtojë rreth një miliard dollarë për pesë vjet – ka nxitur përplasje mes autoriteteve dhe gjykatave, që janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë se po e pengojnë projektin.
Njohësit thonë se Meloni dhe aleatët e saj e kanë ditur që nga fillimi se ka pasur rrezik që marrëveshja të mos funksionojë, e se vendimi i gjykatës evropiane të ishte vetëm një nga çështjet që e ndalin. Chiara Favilli, profesoreshë në Universitetin e Florencës, ka thënë se që nga viti 1993, disa shtete të Bashkimit Evropian kanë propozuar zgjidhje sikur marrëveshja e Italisë me Shqipërinë. “Gjithsesi, ato të gjitha janë hedhur poshtë. Marrëveshjet si ajo në mes të Shqipërisë dhe Italisë janë të papranueshme me disa norma themelore”, ka thënë ajo.
Disa muaj para se marrëveshja Shqipëri–Itali të nënshkruhej, disa organizata joqeveritare, akademikë e ekspertë kanë hedhur dyshime nëse ajo do të ishte humane apo edhe e ligjshme, sipas të drejtës ndërkombëtare.
Thirrjet u injoruan. Mbështetësit kanë insistuar se skema ishte më humane sesa dërgimi i njerëzve në vende në zhvillim, siç do të bënte skema kryesore e dëbimit e Qeverisë së shkuar të Mbretërisë së Bashkuar. Ata kanë thënë se skema është më pak problematike sesa praktika e BE-së për dhënien e parave për shtetet e Afrikës veriore për t’i shtrënguar kontrollet në kufij.
Përderisa duket se do të përballet me sfida të reja, marrëveshja po del të jetë fiasko. Sipas një sondazhi të fundit, 55 për qind e italianëve nuk e pëlqejnë.
Tani për Qeverinë që e ka pasur imigrimin si pikë kyçe në fushatë dhe që i ka kritikuar qeverisjet e shkuara për shpenzimin e parave në menaxhim të krizave me refugjatë në pikëpyetje është besimi. (Transporti në det nga anijet ushtarake italiane, i tetë burrave që u dërguan në Shqipëri fundjavën e shkuar – kushtoi 250 mijë euro apo rreth 31 mijë për person.)
Përballë dështimit gradual të marrëveshjes, Qeveria e Italisë i ka sulmuar gjyqtarët duke i quajtur të politizuar e që duan t’i shfuqizojnë kufijtë e Italisë.
Madje edhe Elon Musk ka dalë në mbrojtje të mikeshës së tij, Meloni, kundër gjyqtarëve, duke thënë se “ata duhet të ecin”. Në një përgjigje të pazakontë, presidenti italian, Sergio Mattarella, i tha Muskut se “Italia di si të kujdeset për veten”.
Javën e shkuar, Policia shtoi masat e mbrojtjes ndaj Silvia Albanos, një nga gjashtë gjyqtarët në seksionin e emigrimit në gjykatën e Romës, që më 18 tetor nuk e autorizoi ndalimin e azilkërkuesve në Shqipëri. Ajo është kërcënuar me vdekje.
Stefano Musolino, zëvendësprokuror në Kalabri, ka thënë se kushdo që autorizon riatdhesimin apo ndaljen e emigrantëve në Shqipëri, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare që është mbi Italinë dhe vendimi është i paligjshëm.
Në kohën kur Qeveria e Italisë po përballet me sfida të brendshme të buxhetit në arsim, shëndetësi e siguri sociale, partitë opozitare e kanë quajtur marrëveshjen me Shqipërinë si “katastrofë financiare”.
Elly Schlein, lidere e Partisë Demokratike të Italisë, ka thënë se Meloni i ka rritur taksat dhe i ka “shpërdoruar një miliard euro të taksapaguesve në qendrat e emigrantëve në Shqipëri”.
“Ne do të mund t’i kishim përdorur ato për ta përforcuar shërbimin kombëtar shëndetësor, ku më shumë se 4.5 milionë njerëz nuk janë në gjendje të marrin trajtime. Tani është koha që Meloni t’i prishë këto qendra. Pastaj është koha që ajo t’u kërkojë falje të gjithë italianëve”, ka thënë ajo.