Kuvendi i Serbisë e ka miratuar të ashtuquajturën “Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb”.
Deklarata e cila ka dalë nga një “Kuvend gjithëserb” muajin e kaluar u miratua me 140 vota pro nga 154 anëtarët e Parlamentit.
Në të mes tjerash flitet edhe për Kosovën “si pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” dhe që “Kuvendi gjithëserb” i mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me të drejtën ndërkombëtare, Rezolutën 1244 dhe rezolutat e tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Në Deklaratë dënohen kushtet gjoja të “patolerueshme” të jetesës së serbëve në Kosovë, raportoi Danas. Diku përmendet edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe dialogu.