Raportime për bomba ka pasur edhe në Maqedoninë e Veriut të premten, një ditë pasi dhjetëra mesazhe kërcënuese me bomba u dërguan nëpër shkolla gjithandej Kroacisë.
Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme ka njoftuar se autoritetet përkatëse janë të pranishme në disa shkolla fillore dhe të mesme në gati të gjithë shtetin.
Shërbimet kompetente po marrin masat e nevojshme për t’u marrë me rastin “e një kërcënimi terrorist”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
“Vlerësimi i shkallës së kërcënimit po bëhet në koordinim me shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës përmes shtabit operativ të krijuar në kuadër të ministrisë”, thuhet tutje.
Ministria ka shtuar se bazuar në të kaluarën, ka gjasa që këto të jenë të rreme.