Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se s’mund ta konfirmojë se SHBA-ja do t’i vendosë sanksione industrisë serbe të naftës (NIS), raporton “Tanjug”.
Hill tha se nuk është qëllim se në çfarëdo lloj mënyre të dëmtohet ekonomia e Serbisë apo marrëdhëniet bilaterale mes vendeve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të premten se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione “brenda pak ditësh” ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se kompanitë ruse gëzojnë shumicën e aksioneve të saj."Sanksione do të vendosin edhe britanikët, por kjo do të thotë të gjithë. Ky është ndoshta një nga lajmet më të vështira", tha Vuçiq.
Por, Hill tha se nuk mund ta konfirmojë vendosjen e sanksioneve.
“Nuk jam në gjendje ta konfirmoj nëse do të vendosen sanksione, por më duhet të them se në momentin kur Rusia bleu NIS, pra kapacitetet e rafinimit dhe prodhimit, ka pasur shqetësim. Sepse atëherë ka përfituar shumë mirë, por nuk ka investuar asgjë në Serbi. I gjithë fitimi shkoi jashtë vendit, pra në Rusi. E kjo u bë shqetësim veçanërisht që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sepse gjithmonë ekzistonte shqetësimi se si do të përdoreshin paratë e fituar këtu në NIS, e veçanërisht që nga lufta në Ukrainë. Është bërë çështje shumë urgjente”, tha Hill pas takimit që pati me ministrin e Policisë së Serbisë.
Ai tha se Rusia nuk e ka ndihmuar Serbinë në asnjë mënyrë, dhe se nuk ka investuar dhe nuk ka bërë asgjë për ekonominë serbe.
“Në fakt, gjitha sanksionet e përmendura në asnjë mënyrë s’kanë për qëllim dëmtimin e ekonomisë së Serbisë, dhe sa i përket bisedimeve, sigurisht që kemi pasur bisedimeve me Qeverinë e Serbisë dhe do të vazhdojmë të bisedojmë. Nuk do të ndodhë shpejt, por ne po flasim se si t’i qasemi kësaj çështje”, tha Hill.