Rajon

Gjykata bullgare merr vendim mbi aksidentin ku vdiqën 45 persona nga Maqedonia e Veriut

aksidenti ne bullgari

Agjencia e Infrastrukturës Rrugore (RIA) e mban fajin e pjesshëm për aksidentin vdekjeprurës të autobusit në Bullgari, ku vdiqën 45 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese shqiptarë, thuhet në vendimin e Gjykatës së Qarkut të Pernikut.

Autobusi i takonte kompanisë “Besa Trans”, e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Me hetimin e aksidentit ishte marrë Shërbimi Hetimor Kombëtar bullgar dhe përfundimet fillestare patën nxjerrë se shkak ishte gabimi njerëzor, pasi shoferi i autobusit po voziste me shpejtësi të madhe.

Sipas gjykatës, RIA është përgjegjëse për 10% të dëmeve të shkaktuara dhe duhet të kompensojë secilin paditës, raportoi BTA. Në dokumentet e gjykatës shpjegohet se shoferi po e ngiste autobusin me 106 kilometra në orë, kur shpejtësia maksimale në atë zonë ishte 120 kilometra. Dizajni i rrugës së shpejtë nuk përputhej me karakteristikat gjeometrike të terrenit.

“Pjerrtësia e projektuar e kthesës korrespondon me një shpejtësi prej 90 kilometrash në orë, por nuk ka asnjë shenjë rrugore të vendosur në vendet e nevojshme që e kufizon këtë shpejtësi”, thotë vendimi i gjykatës.

Aksidenti ndodhi më pas mesnate më 23 nëntor 2021 në autostradën Struma në Bullgari. Autobusi me 52 persona po ktheheshin në Shkup nga një udhëtim në Stamboll, kur u aksidentua dhe mori flakë duke u djegur plotësisht.

Një padi civile ishte ngritur në Gjykatën e Pernikut më 2022, duke rezultuar në deklarata të ekspertëve për gjendjen e seksionit rrugor.

Familjarët e të vdekurve në aksident ngrehën padi në gusht 2023, duke kërkuar dëmshpërblim prej 750 mijë eurosh nga RIA. Avokati ka pretenduar se në rrugë ka pasur një sërë parregullsish, si ngatërrimi i sinjalistikës dhe shenjave rrugore, shinat mbrojtëse dhe asfalti jocilësor, që kanë ndikuar në aksident.