Ministria e Jashtme e Kroacisë u ka rekomanduar shtetasve të vet që të mos udhëtojnë në territorin e Serbisë nëse nuk është e domosdoshme. Është kjo një shkallë shumë e lartë për ministritë e vendeve anëtare që ua japin qytetarëve të tyre për udhëtime në vendet tjera. Deri te ky hap i Qeverisë së Kroacisë ka ardhur pas një fushate të gjatë të akuzave, intimidimeve dhe keqtrajtimeve që u janë bërë disa qytetarëve të Kroacisë të cilët kanë udhëtuar në Serbi.
Së fundmi, pesë gra me shtetësi kroate, aktiviste të shoqërisë civile që po merrnin pjesë në një konferencë në Beograd të organizuar nga fondacioni “Erste”, janë arrestuar nga policia e Serbisë në orët e vona të natës në një hotel në Beograd, janë marrë në pyetje, janë dëbuar nga Serbia dhe u është ndaluar hyrja në Serbi me akuza se “paraqesin rrezik për sigurinë e Serbisë”. Sipas dëshmive të këtyre grave, policët që i kishin arrestuar ishin me rroba civile dhe i kishin transportuar me automjete civile pa shenja të policisë, çka kishte shkaktuar ankth te to.
Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman ka thënë se e ka njoftuar edhe Bashkimin Evropian me këto raste dhe i ka dërguar një notë proteste Serbisë. Më vonë është kuptuar se të njëjtat masa organet e Serbisë i kanë ndërmarrë edhe ndaj pjesëmarrësve nga gjashtë vende të BE-së, por edhe nga vendet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Shqetësim për këtë ka shprehur të enjten në mbrëmje edhe Bashkimi Evropian.
“Jemi të shqetësuar për arrestimin dhe dëbimin e aktivistëve paqësore të shoqërisë civile nga ana e Serbisë që vijnë nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, me pretendimin se paraqesin kërcënim për sigurinë. Shoqëria civile luan rol kyç në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë demokratike. Këto vlera janë në themele jo vetëm të BE-së, por janë edhe kyçe për të ardhmen e Serbisë si vend kandidat dhe për qytetarët e saj”, thuhet në reagimin e BE-së.
Më herët mediat proqeveritare të Serbisë kishin botuar të dhënat personale të disa studentëve nga Kroacia që kishin vizituar Serbinë dhe ishin akuzuar për “spiunë që kanë ardhur të organizojnë protestat e studentëve”.
Krimineli i dënuar i luftës, Vojsllav Sheshel, kishte publikuar një emision në TV kopjen e pasaportës së një gazetari nga Kroacia duke e akuzuar se është “spiun i cili kishte ardhur për të rrëzuar regjimin në Serbi”. Mediat proqeveritare dhe zyrtarët shtetërorë në Serbi që nga fillimi kanë akuzuar studentët që organizojnë protesta kundër pushtetit pas tragjedisë në Novi-Sad se “janë spiunë të shërbimit sekret të Kroacisë” dhe të shërbimeve tjera perëndimore dhe kanë për qëllim shkatërrimin e Serbisë. Tash pasi situata ka eskaluar dhe qytetarët e Kroacisë mund të jenë në rrezik Ministria kroate ka rekomanduar qytetarët që të evitojnë udhëtimet në Serbi, dhe nëse gjenden në Serbi të evitojnë tubimet.