Një takim mes biznesmenëve në Serbi dhe djalit të presidentit amerikan, Donald Trump është mbajtur të shtunën në Beograd, ka njoftuar Dhoma e Tregtisë në Serbi.
“Diskutim i shkëlqyeshëm dhe i hapur mes përfaqësuesve të bizneseve në Serbi dhe Donald Trump Jr”, ka njoftuar kjo Dhomë.
Trump Jr. në Beograd ka pasur takim edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Shumë të huaj thonë se jam person i zorshëm dhe se nuk është lehtë të flitet me mua, por askush ende s’ka thënë se jemi jomikpritës. Përgatitëm mish derri për Donald Jr. Trump”, ka shkruar presidenti i Serbisë në rrjete sociale.
Është hera e dytë që djali i Trumpit viziton Beogradin në një muaj e gjysmë dhe e treta në më pak se një vit. Ai ishte në Beograd më 11 mars kur intervistoi Vuçiqin për podcastin e tij. Trump Jr vizitoi Beogradin edhe gjatë kampanjës së babait të tij në garën për president, në shtatorin e shkuar.
Besohet se ai është në Beograd lidhur me planet për ndërtimin e një kompleksi luksoz, nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.