Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk po mund t’i përballojë protestat e mëdha të studentëve në Serbi.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Biserko ka thënë të premten se Vuçiqi përgjigjen e vetme ndaj protestave të studentëve e ka pasur përmes dhunës.
Ajo po ashtu ka thënë se Serbia është në krizë të thellë politike, ekonomike e morale.
Më 15 mars pritet është paralajmëruar protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë në Serbi. Studentët po kërkojnë llogari për vdekjen e 15 personave më 1 nëntor nga shembja e strehës së stacionit të hekurudhës në Novi-Sad.
Intervista e plotë:
KOHA: Zonja Biserko, kemi kënaqësinë që ju kemi në programin tonë!
BISERKO: Faleminderit që më ftuat! Mirëmbrëma!
KOHA: Një bujë e madhe me paralajmërime për shpërthim të dhunës është bërë këtyre ditëve për protestën e ditës së nesërme në Beograd. Gjashtë persona është raportuar pak më parë se janë arrestuar në Serbi për shkak të përgatitjes së një grusht shteti, siç thonë autoritetet atje. Çfarë opinioni keni për këtë dhe çfarë prisni nga protesta e nesërme?
BISERKO: Paj, kjo është përgjigjja e vetme që presidenti ynë e ka, sepse ai nuk mund të përballet me këto lloj protestash, nuk mund të përballet me këta të rinjtë, të cilët janë duke manifestuar diçka të re, një ndjeshmëri të re, rregulla të reja dhe është gjë e madhe për të, për të pranuar këtë realitet të ri. Vuçiqi nuk e kupton këtë. Përgjigjja e vetme e tij është kërcënimi, duke i kërcënuar protestuesit, madje edhe me dhunë, siç e ka bërë qe disa ditë, përmes mediave të tij të kontrolluara, sikurse janë Informeri, Pink, Happy dhe të tjera mediume. Kështu që këto porosi janë lëshuar qe disa ditë, në mënyrë që t’i parandalojë shumë njerëz që të mos vijnë në Beograd apo madje edhe për të parandaluar njerëzit e Beogradit të protestojnë. Por pavarësisht kësaj, studentët në Beograd po vijnë në turma të mëdha, njerëzit po i presin ata, po i përshëndesin, dhe po kalojnë në secilën qoshe të qytetit. Kështu që Vuçiqi nuk mund ta përballojë këtë. Se a do të ketë dhunë në rrugë nesër, nuk mund ta them, dhe shpresoj që s’do të ketë .
Dhuna do t’i kthehej bumerang Vuciqit dhe nuk do të ishte mirë as për të, sepse do të jenë shumë njerëz dhe ai nuk mund të përballet me aq shumë njerëz që do të mblidhen nesër. Se a do të jenë 100 apo 200 mijë njerëz, këtë s’e di, por edhe 50 mijë do të jenë shumë për të, sepse ai nuk e ka forcën e mjaftueshme policore apo të paragrupeve që janë të prirë për të provokuar dhunën. Dhe shumë policë, privatisht po thonë se nuk do të dilnin kundër studentëve apo veteranë të caktuar, që po thonë se nuk do të lejojmë t’i prekin studentët. Këta veteranë nuk është që e dinë historinë, por sidoqoftë është e rëndësishme që njerëz të tillë të mos jenë në krahun e Vuçiqit.
Po ashtu brohoritjet kundër tij janë edhe disa nga tifozët e Zvezdës, që është ekipi i preferuar i tij. Kështu që ky është një rebelim që është nxitur në njëfarë mënyre nga vetë ai, sepse të gjitha reagimet e tij ishin të paduhura gjatë këtyre katër muajve, dhe këto reagime kanë kontribuar që edhe më shumë njerëz të marrin pjesë në këto protesta. Kështu që reagimet e tij janë treguar kundërproduktive nga ajo që Vuçiqi donte të arrinte.
KOHA: Më lejoni të ndërhyj nëse mundem. Kam parë disa qëndrime të presidentit të Serbisë, në të cilat është shprehur se Shërbime të Inteligjencës perëndimore janë prapa organizimit të protestave për ta rrëzuar atë nga pushteti. Çfarë mendimi keni ju për këtë?
BISERKO: Paj, ky e thotë se kjo ka të bëjë me Revolucionin e Portokalltë, duke thënë se ai revolucion ishte krijuar nga Perëndimi, që nuk është e vërtetë, sepse BE-ja dhe SHBA-ja janë të angazhuara me luftën në Ukrainë dhe po ashtu çarjen transatlantike. Kështu që nuk është se kanë kapacitete për të qenë në çdo anë dhe nuk është se kanë arsye për ta rrëzuar Vuçiqin nga pushteti në këtë kohë. Por sidoqoftë, ai po shkon drejt kësaj rruge, sepse sjellja e tij është mosllogaridhënëse dhe ai sot nuk përfaqëson presidentin e të gjithë qytetarëve sot. Unë mendoj se ai po luan me fatin e vet dhe se të gjitha këto teori për ndërhyrjen e Perëndimit janë larg realitetit.
Natyrisht, siç e kemi parë Aleksandër Vulinin, menjëherë ka shkuar në Moskë. Pas vendimit të Gjykatës ndaj Dodikut, ai shkoi në Moskë, dhe u takua atje me njerëz të ndryshëm, duke thënë se të gjithë serbët në të gjithë rajonin tonë po kërcënohen nga revolucioni i portokalltë dhe kështu, siç e pamë, qëndrimi i rusëve ishte që ishin kundër çdo intervenimi të jashtëm nga Perëndimi. Dhe e dini, Rusia me siguri ka gisht në këto zhvillimet në Republikën serbe, sepse ata kanë trajnuar grupet paramilitare që janë pjesë e sistemit të tyre, por në të njëjtën kohë, siç e dini, pas vendimi të gjykatës dhe radikalizmit të Dodikut, ata kanë rritur vëzhgimin në Bosnjë e po ashtu në Serbi.
KOHA: A është Serbia duke u zhytur edhe më tej në krizë dhe cila është dalja nga këto protesta, të cilat i kemi parë qe disa muaj. Protestuesit i kanë disa kërkesa. Vuçiqi ka thënë se i ka adresuar, por ende protestuesit po vazhdojnë, pavarësisht faktit se presidenti i Serbisë insiston të kundërtën. Cili është qëndrimi juaj në këtë?
BISERKO: Paj, Serbia është qartë në krizë të thellë politiko-ekonomike dhe morale qe një kohë të gjatë tashmë. Dhe për shkak që Vuçiqi ia ka dalë të manipulojë dhe të këtij mekanizmi të adresimit, ai ka arritur të marrë nën kontroll të gjitha institucionet, ka shkatërruar opozitën, por edhe pjesërisht shoqërinë civile e mediat e pavarura. S’ka pasur dialog në shoqëri. Prandaj problemi është aty.
Tragjedia e Novi-Sadit ishte vetëm ‘nxitëse’. Ishte një efekt kumulativ i të gjitha atyre që kanë ndodhur në 10 vjetët e fundit. Prandaj, kjo s’është befasi. Befasi është se si këta të rinj kanë arritur të depërtojnë me kaq dedikim, me kaq organizim, me kaq energji të re.
KOHA: Në çka mund të rezultojë kjo energji për të cilën po flisni ju? Cilat prisni të jenë përfitimet nga kjo?
BISERKO: Studentët janë të vetmit që kanë legjitimitet moral. 80 për qind e njerëzve i mbështesin. 60 për qind besojnë se ata mund të ndryshojnë diçka. As opozita e as autoritetet e regjimit s’mund të bëjnë asgjë që t’i deligjitimojnë. Problemi është se studentët ende nuk duan të merren me çështjet politike. Ajo që po kërkojnë prapë, është çështje politike. Nuk e di se çka do të ndodhë nesër apo në javët në vijim. Nëse do të ketë ndonjë përgjigje që do të dalë ndaj gjithë kësaj. Mendoj se e vetmja mënyrë, sipas meje, që deri tash s’ka ndodhur, është që BE-ja apo dikush nga BE-ja të vijë të ndihmojë të organizojë një takim, në të cilin do të merrnin pjesë të gjithë faktorët. Jo vetëm regjimi dhe opozita, por edhe studentët e grupet e tjera pjesëmarrëse në këto protesta në katër muajt e fundit dhe më pas të nisë dialogu, sepse nuk ka dialog me shoqërinë fatkeqësisht. Kjo është pikëpamja ime. Nuk e di a do të ndodhë kjo. Nuk e di a do të dalë diçka në ditët në vijim. Nuk mund ta them. Është pyetje e madhe për të gjithë ne.
KOHA: Pyetja ime e fundit është se nesër është thënë që do të jetë protesta më e madhe që nga rënia e Milosheviqit. A prisni që në të vërtetë të jetë kështu? Dhe çka prisni se do të jetë e ardhmja e këtyre protestave, pasi kërkesat nuk janë përmbushur nga Qeveria?
BISERKO: Epo, studentët kanë vendosur të vazhdojnë dhe mendoj se do të jetë një nga protestat më të mëdha ndonjëherë, sepse njerëzit po vijnë nga të gjitha anët. Mund ta ndieni energjinë në qytet dhe gjithë këtë shpresë se diçka do të ndryshojë. Nuk do të ndryshojë, sepse Serbia është shtet i shkatërruar, shoqërisht, moralisht dhe ekonomikisht dhe do të duhen dekada ndoshta edhe më shumë... por është me rëndësi që ky proces është hapur... pra sot, apo nesër do të jetë proces. Por me rëndësi është po ashtu që këta të rinj e kanë kornizuar të ardhmen, se brenda 10 vjetësh do të jetë dikush prej tyre lideri i ardhshëm politik e kështu me radhë.. do të jetë proces i ngadalshëm, por shpresoj se do të shkojë në drejtim të mirë.
KOHA: Ju faleminderit për kohën!
BISERKO: Ju faleminderit ju!