Rajon

Biserko: Vuçiqi është pjesë e koalicionit të regjimeve autoritare të Putinit

Sonja Biserko

Sonja Biserko

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka humbur besimin e Perëndimit, gjë që reflektohet në presionin në rritje ndaj të cilit është ekspozuar, kryesisht për shkak të Banjskës, vjedhjeve në zgjedhjet e dhjetorit dhe marrëdhënieve me Rusinë, ka thënë Sonja Biserko, presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Në një intervistë për “Danasin”, Biserko ka komentuar njoftimin e Vuçiqit për telefonatën me Nicolas Maduron, duke thënë se presidenti i Venezuelës i përket “koalicionit autoritar të Putinit”.

“Spekulimet e vazhdueshme se Ballkani Perëndimor mund të jetë skena e një konflikti të ri ka intensifikuar aktivitetet diplomatike të BE-së, SHBA-së dhe NATO-s në rajon me qëllim mbylljen e çështjes ballkanike me ose pa Serbinë, varësisht se çfarë vendos të bëj ajo. Nga kjo rrjedh procedura e përshpejtuar sa i përket pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila mbështetet nga i gjithë rajoni, përfshirë Malin e Zi dhe Greqinë”, ka thënë Biserko.

Sipas saj, Beogradi u zemërua pasi anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishte i padiskutueshëm pasi Serbia u zotua në marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit që të mos pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“E gjithë kjo është për qëllimin e zgjedhjeve të ardhshme në Beograd [të cilat do të përsëriten], por mbi të gjitha për të tërhequr vëmendjen nga politika e dështuar për Kosovën. E gjithë kjo pasohet nga fjalimi i përditshëm i presidentit drejtuar kombit me tezën se serbët janë të kërcënuar nga Perëndimi dhe se po vijnë ‘ditët më të vështira’ për Serbinë”, ka shtuar ajo.

Gjermania, siç thotë Biserko, e ka marrë iniciativën brenda Bashkimit Evropian për të pasur qasje të re ndaj Serbisë.

“Formimi i ekipit lobues kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, pastaj nismat tjera ndërkombëtare, po bëhen jo vetëm kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe për rezolutën e OKB-së të sponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda [për Srebrenicën]. Në kuadër të BE-së, Gjermania ka marrë iniciativën kur është fjala për një qasje të re ndaj Serbisë”, ka deklaruar Biserko.

Biserko paralajmëron se telefonata e Vuçiqit me Maduron është pjesë e nismave ndërkombëtare të presidentit serb kundër Perëndimit.

“Është e qartë se Vuçiqi është pjesë e koalicionit të regjimeve autoritare të Putinit që po minojnë rendin liberal ndërkombëtar me forca të përbashkëta (në të cilat po ia dalin) me ambicien për të vendosur një rend të ri botëror sipas mendjes së tyre”, ka përfunduar Biserko.