Të paktën pesë persona janë mbytur pasi anija me migrantë është fundosur në lumin Drina derisa po kalonte nga Serbia në Bosnje.
Policia ishte njoftuar për rastin në orët e hershme të së enjtes. Autoritetet serbe kishin njoftuar se 18 migrantë kishin arritur të kalonin në Bosnje, nga gjithsej 25 sa ishin në anije, raportoi AP.
Më vonë mediat kanë raportuar se pesë trupa janë gjetur në lumë. Zyrtarët në Bosnjë kanë thënë se rreth 30 persona kanë qenë në anije.
Përmbyset anija me migrantë që po kalonte nga Serbia në Bosnje
Një anije me migrantë është përmbysur derisa po kalonte nëpër lumin Drina nga Serbia në Bosnje, ka thënë policia serbe.
Policia është lajmëruar në orët e hershme të mëngjesit nga autoritetet në Bosnjë dhe një qytetar që e ka raportuar rastin, ka thënë ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Daçiq ka thënë se 18 migrantë, përfshirë tre fëmijë, ia dolën të kalonin në Bosnje, nga gjithsej 25 personat që ishin në anije kur u përmbys.
Pritet që në operacionin e kërkimit të përfshihen edhe zhytësit, raportoi AP.
Migrantët që shfrytëzojnë të quajturën rrugë ballkanike në përpjekje për të arritur Evropën Perëndimore, shkojnë në Serbi nga Bullgaria ose Maqedonia e Veriut para se të vazhdojnë në Hungari, Kroaci ose Bosnjë.