Rajon

Daçiq njofton për 14 të arrestuar gjatë protestave të së shtunës

Protesta ne Beograd kunder minierave te litiumit

Foto: Associated Press

(Përditësuar, 12:13) - Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se në protestat e të shtunës në Beograd për minierat e litiumit janë arrestuar 14 persona nën dyshimin se kanë kryer vepra penale. 

Daçiq ka thënë se sipas vlerësimeve të policisë ishin mbledhur rreth 27 mijë persona për të protestuar. 

“Gjithsej 14 persona janë ndalura nën dyshimin se kanë kryer vepra penale”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se në mesin e të arrestuarve kishte edhe të huaj, transmeton “B92”. 

Ai thotë se “po punohet të identifikohen edhe persona tjerë”. Ka thënë se mbi 2000 policë janë në këmbë.
 


Protestat për minierat e litiumit, Vuçiq thotë se po duan “ta shkatërrojnë ekonominë” e Serbisë

(Përditësuar, 11:50) - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për protestat e të shtunës në Beograd kundër minierave të litiumit. 

Vuçiq ka thënë se protestat u zhvilluan në frymë demokratike, porse pas protestave pati “krime ku u kap hekurudha, u bllokua autostrada”. 

“Dëgjuam se qëllimi është shkatërrimi i ekonomisë. Kush janë njerëzit që duan të vuajë ekonomia jonë. Unë i kuptoj ata nga rajoni, ata nga Prishtina, transmetimet direkte te mediave të Kurtit, si dhe magjepsjen me ‘luftën kundër mizorive të Vuçiqit’...” – ka thënë Vuçiq, transmeton “B92”. .

Vuçiq ka thënë se Dragan Sholak është një prej personave kyç që po e ushqen këtë situatë dhe se nuk jeton fare në Serbi. 

Ai tha se ka ende të panjohura dhe s’do të ketë gërmime edhe për të paktën dy vjet. 

“Është pjesë e qasjes hibride dhe kryerjes së revolucioneve. Mendon se ke befasuar dikë...Gjithmonë kemi qenë të përmbajtur, kemi siguruar rend pa dhunë, pa probleme”. 

Ai ka thënë se zyrtarët kryesorë në mesin e organizatorëve të protestave “shkuan të pushojnë në det”.

Ai po ashtu ka thënë se do të jetë “polici më i keq” për kompaninë “Rio Tinto”.  

“Unë thjeshtë po luftoj për të vërtetën dhe që ne të flasim. Unë do të jem polici më i keq i mundshëm për Rio Tinton...Do të jem më i keqi për ta se ata që luftojnë kundër tyre dhe duan të marrin pushtetin pa zgjedhje. Ata bllokuan hekurudhën, shihni paradoksin, nuk ka asgjë më të pastër se transporti hekurudhor”, tha Vuçiq. 
 


Protestat masive kundër minierave të litiumit, Vuçiq do t’i adresohet sot publikut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do t’i adresohet publikut të dielën pas demonstratave masive të mbajtura të shtunën mbrëma në qendër të Beogradit kundër minierave të litiumit, raporton “B92”.

Policia e Serbisë ka njoftuar se ka zhbllokuar trafikun hekurudhor herët të dielën. Trafiku ishte bllokuar nga protestuesit. 

Protestuesit bllokuan kryqëzimin hekurudhor në Prokop në Beograd dhe stacioni hekurudhor në Beogradin e Ri, e po ashtu përkohësisht ishte bllokuar edhe autostrada që çon nga Beogradi në Nish dhe Zagreb. 

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se policia ka mundësuar që të rikthehet qarkullimi hekurudhor nga ora 5:30 të dielën. 

Ai ka bërë të ditur se policia do të ngrejë kallëzime penale kundër “autorëve të veprave penale të ndërprerjes së trafikut publik ndërkombëtar dhe rrezikimit të sigurisë së qytetarëve”. 

Bllokada e autostradës ishte ndërprerë pas një incidenti kur një shofer e ka përplasur veturën e tij në turmë, duke lënduar tre persona, njërit prej të cilëve iu thye këmba. 

Protestuesit janë të vendosur të bllokojnë trafikun hekurudhor derisa Qeveria e Serbisë të miratojë Ligjin për ndalimin e përhershëm të kërkimeve gjeologjike dhe shfrytëzimit të litiumit e borit në Serbi.

Kërkesat u mbështetën nga dhjetëra mijëra qytetarë që u mblodhën në qendër të Beogradit të shtunën.  Protesta ishte thirrur nga organizatat dhe lëvizjet mjedisore. 

Kryeministri serb Milosh Vuçeviq i ka quajtur protestuesit “frikacakë dhe gënjeshtarë” dhe tha në rrjetin social “X” se “banda është shpërbërë”. 

“Ata kërcënojnë haptas dhe në mënyrë monstruoze me vdekje presidentin Aleksandar Vuçiq. Nuk do ta trembin. Dhe nuk do t’ju lejojmë të rrezikoni Serbinë për hir të interesave personale, të cilat mbështeten edhe nga (kryeministri i Kosovës, Albin) Kurti, ustashët dhe nga shërbimet e huaja”, ka shkruar Vuçeviq.

Vuçiq ka thënë më herët të shtunën se autoritetet kanë marrë informata nga Rusia se po planifikohej grusht shtet në Serbi. 

Autoritetet në Serbi po përballen me rezistencë gjithnjë e më të madhe ndaj minierave të litiumit, pasi Beogradi nënshkroi një memorandum partneriteti strategjik për lëndët e para të qëndrueshme me Bashkimin Evropian. Marrëveshja u nënshkrua më 19 korrik.