Rajon

Dodiku “e zbut” kërcënimin, e shtyn propozimin për ndarjen për 30 ditë

Milorad Dodik

Kreu i entitetit Republika Srpska, Milorad Dodik, ka thënë se një marrëveshje paqësore për ndarje do të propozohet në 30 ditët e ardhshme.

“Po e fillojmë ditën me një vendim zyrtar për të kërkuar një demarkacion paqësor. Do të propozojmë fillimisht të qartësojmë kompetencat politike në lidhje me entitetet, dhe ruhet e lihet modeli aktual i funksionimit të ekonomisë dhe brenda pak vitesh të përshtatet me modelin e demarkacionit paqësor”, ka thënë ai.

Dodik ka shtuar se serbët “thjesht nuk mund të jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë më”, ndërsa ka vazhduar me retorikën e tij kundërshtuese të gjenocidit në Srebrenicë.

Pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Srpska në Srebrenicë, kryeministri i RS-së Radovan Vishkoviq ka thënë se në 30 ditët e ardhshme, kjo qeveri do të krijojë një marrëveshje që do t'i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për "ndarje paqësore".

Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.


Situata aktuale në Srebrenicë para seancës ku Dodiku do të propozojë “ndarje paqësore”

Para seancës së qeverisë së Republika Srpskas dhe votimit në Kombet e Bashkuara të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, situata në qytet është e qetë.

Në seancë do të marrë pjesë presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ministrat e zyrtarë të tjerë, raportoi Danas. Dodik ka paralajmëruar se në seancën qeveritare do të propozojë “ndarje paqësore” të Bosnjës.

Flamujt e Republika Srpskas janë shfaqur në të gjitha institucionet e qytetit, ndërsa ata të ushtrisë së Bosnje e Hercegovinës janë hequr.

Nuk është raportuar për ndonjë tubim apo protestë.

Masat e sigurisë janë ngrehur në nivelin më të lartë.