Para shumë kohe, mbi këta gurë që kanë mbetur sot, qëndronte një qytet i madh e i zhvilluar. Kjo është një prej qendrave më interesante arkeologjike në Kosovë.
Quhet Parku Arkeologjik Ulpiana, ku civilizimi kishte filluar që prej Epokës së Gurit. Çka për ne mund të duken vetëm si gurë të vjetër, tregon shumë për historinë e këtij qyteti të lashtë. Ne sot e dimë se si kanë jetuar, çfarë kanë veshur dhe si janë ushqyer njerëzit e kohëve të lashta.
E kjo falë arkeologjisë. Pra, arkeologët studiojnë njerëz dhe artefakte nga kohët e lashta dhe na mundësojnë të kuptojmë më shumë për to. Në Parkun Arkeologjik Ulpiana punojnë edhe arkeologe që kanë filluar të njoftohen me këtë fushë që prej kur kanë qenë vetë fëmijë.
Në Ulpianë janë gjetur monumente të ndryshme si bazilikë, pagëzimore, kulla të vrojtimit dhe një portë. Është mjaft interesante të shihen nga afër dhe të mësohet më shumë për mënyrën e jetesës dhe kulturën e njerëzve që dikur jetonin në vendin tonë. Prandaj, këtu vijnë shumë vizitorë të moshave dhe vendeve të ndryshme.