PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Aventurë pranverore në oborrin me lule

Mirë se erdhët në një ditë të veçantë - një ditë plot diell, plot ngjyra dhe plot aromë të freskët pranverore. Këtë herë, ne fluturuam drejt pranverës me zemrat hapur dhe me duart plot punë të bukura.

Oborri ynë u mbush me jetë, gjallëri dhe shumë dashuri. Gjithçka u krijua nga duart e vogla të fëmijëve tanë të mrekullueshëm. Ishte një aventurë e mbushur me kujdes, krijimtari dhe buzëqeshje.

E nisëm ditën duke mbjellë lule.

Në fillim, hapëm tokën me kujdes, duke ndier nën gishta aromën e saj të butë. Më pas, vendosëm farën - si një premtim të vogël që e bëmë me shpirt. E mbuluam butë, me dashuri, sikur t’i thoshim:
“Rritu… lulëzo… e na dhuro pak nga bukuria jote.”

Me pak ujë, pak diell  dhe shumë përkujdesje, fara nisi të ndryshojë. Dita-ditës, nga ajo doli një gjethe e imët, pastaj një tjetër…

Dhe më pas, një lule e vërtetë që qeshte me diellin çdo mëngjes, na falte gëzim dhe na mësonte durimin e bukur të natyrës.

Pastaj u zhvendosëm në klasat punëtore!

Në tarracën me diell, shtruam pëlhurat e bardha, që dukeshin si qielli i vogël i secilit fëmijë.

Morëm penelat, hapëm kutitë me ngjyra dhe nisëm të pikturojmë pranverën - ashtu siç e shihnim me sytë tanë.

Lule shumëngjyrëshe që vallëzonin në erë, bletë që punonin pa u lodhur, dhe flutura që loznin ndër degë si të ishin ngjyra që fluturonin në ajër.

Ngjyrat nuk ishin vetëm në bojë, ato jetonin në buzëqeshjet tona, në sytë tanë plot dritë, në duart tona që krijonin me dashuri.

Në mesin e kësaj bukurie, fëmijët nisën të thurin edhe vargje. Shkruan poezi për bletët e vogla që nuk pushojnë kurrë, për lulet që çelin me agimin dhe pastaj, i recituan vetë, me zërin e tyre të ngrohtë, plot jetë e imagjinatë.

Dhe kur u kthyem në klasë, sollëm pranverën edhe në artin tonë. Me pambuk të butë si re, dhe karton me ngjyra të ndezura, ndërtuam lule të mrekullueshme: Zambakë që dukeshin sikur po frymonin,lule dielli që qeshnin me dritën dhe përqafonin ngrohtësinë.

Çdo fëmijë krijoi lulen e vet, ashtu siç e ndiente në zemër.Disa ishin të kuqe si gëzimi,disa të verdha si dielli dhe disa me të gjitha ngjyrat e ylberit bashkë.

Dhe kështu, aventura jonë pranverore mori fund, por zemrat tona mbetën të mbushura me jetë.

Sikur secili prej nesh të kishte një kopsht të vogël brenda vetes që nuk pushon kurrë së lulëzuari.

Deri herën tjetër miqtë e mi, mbillni një buzëqeshje, ujiteni me mirësi dhe kujdesuni për të tjerët ashtu si për një lule. Vetëm kështu do të rritet dashuria në botë!