Përshëndetje, miq! Mirë se erdhët në një episod tjetër magjik të emisionit tonë. Sot, do të nisemi në një “aventurë dimërore”! Edhe pse jashtë është ftohtë, ne do të takohemi me disa fëmijë të mrekullueshëm që këtë stinë të ftohtë e bëjnë të ngrohtë dhe plot gëzim.
Udhëtimin tonë e nisim në kuzhinën më të ngrohtë, ku do të ndërtojmë shtëpi prej biskotash! Së pari, i vendosim biskotat njërën mbi tjetrën për të krijuar muret, pastaj shtojmë një çati që të duken si kasolle dimërore. E çfarë është një shtëpi dimri pa borë? Këtu vjen në përdorim bora jonë magjike – kokosi i bluar! E spërkatim gjithandej në mënyrë që shtëpitë tona të duken sikur janë mbuluar nga një shtresë bore. Dhe më pas vjen pjesa më e bukur – zbukurimi! Do të përdorim spërkatje shumëngjyrëshe, karamele vezulluese dhe mbase pak krem për t’i dhënë secilës shtëpi një pamje të veçantë. Si rezultat, asnjë shtëpi nuk do të duket njësoj, sepse po e lëmë kreativitetin tonë t’i japë ngjyrë secilës veç e veç!
Por argëtimi nuk mbaron këtu! Tani do të udhëtojmë për të takuar disa nga kafshët më interesante që jetojnë në vendet më të ftohta të Tokës – Polin e Veriut.
I pari është ariu polar, mbreti i Arktikut! E dini që gëzofi i tij nuk është vërtet i bardhë? Ai është transparent dhe reflekton dritën, gjë që e ndihmon të shkrihet me dëborën dhe akullin. Ariu polar është një notar i shkëlqyer dhe i pëlqen shumë të gjuajë foka nën ujërat e ngrira.
Pastaj kemi fokën, e cila rrëshqet me lehtësi nëpër ujërat e akullta. Fokat kanë një shtresë të trashë dhjami që i mban ngrohtë dhe u pëlqen të pushojnë mbi ajsbergë kur nuk janë duke notuar.
Secila prej këtyre kafshëve ka karakteristika të veçanta, si gëzof të trashë, dhjamë ose putra të posaçme që i ndihmojnë të mbijetojnë dhe të lulëzojnë në një nga mjediset më të ftohta të botës. Por edhe ato e duan një trajtim të veçantë, kështu që le t’i lajmë me shkumën tonë shumëngjyrëshe përpara se tavazhdojmë aventurën tonë dimërore!
E përfundojmë udhëtimin tonë duke krijuar pemë dhe flokë dëbore, secila po aq unike sa fëmijët që i krijojnë!
Edhe në stinën më të ftohtë, mund të krijojmë ngrohtësi përmes argëtimit, krijimtarisë dhe dashurisë. Faleminderit që ishit me mua në këtë udhëtim magjik. Deri herën tjetër, paçi aventura të këndshme, eksploruesit e mi dimërorë!