Vera është stina që sjell emocione dhe gëzim për të gjithë fëmijët. Fëmijët kanë mundësinë e përkryer për t’u përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh në natyrë. Një aktivitet i tillë u zhvillua në Mitrovicë si pjesë e festivalit “Green Fest”. Bëhet fjalë për programin “Green Kids” i dedikuar për fëmijët.
“Green Kids” ka për qëllim ofrimin e përvojave të ndryshme për fëmijë, përmes mësimit dhe argëtimit në Parkun e Qytetit. Në bashkëpunim me BONEVET Mitrovica dhe grupet e gjelbra të shkollave fillore dhe të mesme të Mitrovicës të gjithë fëmijët filluan zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.
Të ndarë në disa grupe secili fëmijë realizonte me sukses aktivitetet me ndihmën e mësueseve dhe vullnetarëve. Disa pikturonin, disa krijonin ushqyes zogjsh, të tjerë luanin lojëra të ndryshme. Mirëpo, më e rëndësishmja ishte që të gjithë ishin mbledhur për të përmbushur një qëllim të përbashkët. Ngritjen e ndërgjegjësimit për kujdesin ndaj mjedisit përmes aktiviteteve të llojllojshme në natyrë.
Ky program gjithashtu integroi edhe prindërit, të cilët mund të ndanin këtë përvojë të lezetshme së bashku me fëmijët e tyre. Pasi angazhimi në këto aktivitete në natyrë, përveçqë promovon shëndetin fizik, inkurajon imagjinatën, ndërveprimin social dhe një lidhje më të thellë me natyrën.
Ata që po shijonin maksimalisht këto aktivitete ishin fëmijët, të cilët realizonin me radhë aktivitetet e shumta që ofronte program “Green Kids”.
Përveç argëtimit në natyrë, ky program u ofron fëmijëve njohuri të vlefshme për botën përreth tyre. Kjo përvojë do të ushqejë te ta një ndjenjë të kujdestarisë mjedisore, e cila është e rëndësishme për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë.
Më shumë rreth idesë së realizimit të programit “Green Kids” dhe aktiviteteve që ka ofruar ky program dyditor, na tregoi drejtori i “Green Fest”, Lulzim Hoti.
Përmes programit “Green Kids” fëmijët zbuluan rëndësinë e miqësisë, bukurinë e natyrës dhe mundësitë e pakufishme që i prisnin kur dilnin jashtë, pasi që gjithmonë ka aventura të reja në natyrë, që presin të zbulohen.