Press

“Të diskriminuarit” e Alba-Festivalit do të rimbursohen për biletat

Më 4 dhe 5 shtator parashihej të mbahej festivali “Alba Festival” në Cyrih, një festival ky që mbledh artistë shqiptarë dhe mijëra admirues të muzikës shqipe në Zvicër. Por, jo këtë vit.

Gjithçka ishte planifikuar, por në më pak se 48 orët e fundit të gjitha u anuluan. Leja për mbajtjen e festivalit u anulua nga presidentja e kantonit të Cyrihut, Jacqueline Fehr – komuniteti shqiptar u ndje i dëshpëruar. Arsyetimi qe se grupi i synuar i pjesëmarrësve të festivalit është një “komunitet i prekur rëndë” nga COVID-19, duke iu referuar "komunitetit ballkanik" me shkallë të ulët vaksinimi dhe shkallë të lartë infektimi që mund të paraqesin rrezik mbingarkese të spitaleve nga një tubim i tillë. Komuniteti shqiptar në diasporë u ndje i diskriminuar.

Në një konferencë të drejtuesve të këtij organizimi u tha se u zhgënjyen dhe u diskriminuan.

Të mërkurën në mbrëmje, në faqen zyrtare të “AlbaFestival” u bë e ditur se do t’i rimburësojë ata që kanë blerë biletat, teksa shkroi se ishte planifikuar festivali bazuar në siguri të lartë.

“Ndihemi te forcuar nga mohimi i lejes per festivalin tone ne ate periudhe aq afatshkurte nga Presidentja e kantonit te Zurichut, Jacqueline Fehr. Veçanërisht, kjo force vjen kur kuptojme qe vendimi i saj na ka bere te ndihemi te diskriminuar - ne origjinen tone. Sic tashme dihet, ne kishim planifikuar nje siguri te nivelit 3G per festival, gje qe ben te parendesishme origjinen e mysafireve”, thuhet në njoftim.

Në festival do të performonin artistë si, Ermal Fejzullahu, Sabri Fejzullahu, Dhurata Dora, Ledri, Noizy, Mc Kresha, Mozzik, Lumi B, Elvana Gjata, Elita 5, Kida, Lyrical Son, e të tjerë.