Tohar Butbul i Izraelit doli në tatami. Qëndroi pak sekonda dhe gjyqtari dha shenjë për fitoren e tij.
Përballë Butbulit në “Mat 2”nuk ishte asnjë xhudist. Ai është dashur ta zhvillonte luftën e parë në kategorinë deri 73 kilogramë, të hënën, prej orës 10:00. Është dashur të përballej me xhudistin e Algjerisë, Messaoud Redouane Dris. Por Dris nuk doli në arenë. Dhe kështu garuesit izraelit i takoi fitorja pa luftë.
Nuk është hera e parë që ka situata të tilla në sport. Madje edhe në skenën më të madhe, atë të Lojërave Olimpike. Sportistë nga disa shtete me popullsi muslimane refuzojnë të përballen me sportistët e Izraelit.
Kjo besohet të jeta arsyeja për dështimin e luftës së xhudistit izraelit.
Zyrtarisht Drisi nuk kishte peshën e duhur. Ishte 400 gramë më i rëndë se që lejohet.
“Natyrisht që puna e peshës është një mashtrim”, ka thënë një burim për mediumin francez “L’Equipe”.
Në Komitetin Olimpik të Izraelit kanë thënë se kundërshtari i Toharit hoqi dorë nga lufta. Izraelitët kanë shkruar se “nuk kanë pritur se sjellje të tilla kanë vend në sport”.
Në Komitetin Olimpik të Algjerisë nuk kanë komentuar.
Ndërkohë Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka hequr përgjegjësinë. Ka thënë se shpesh xhudistët janë mbipeshë. Matja zyrtare për kategorinë deri 73 kilogramë ishte të dielën.
“Messaoud Redouane Dris i Algjerisë u diskualifikua gjatë matjes zyrtare për shkak të mbipeshës prej 400 gramësh. Ky lloj incidenti mund të ndodhë në çdo garë. Gjatë Lojërave Olimpike në Tokio, katër garues nuk e kaluan kontrollin e peshës”, ka shkruar IJF.
Sipas Federatës botërore të xhudos, Dris u paraqit për matje dhjetë minuta para afatit të fundit dhe kishte 400 gramë më shumë se kufiri i lejuar.
“IJF mbështet me vendosmëri parimet e lojës së ndershme, frymën olimpike dhe mosdiskriminimin. Ne besojmë se sporti duhet të mbetet me integritet, drejtësi dhe i pandikuar nga ndikimet e konfilikteve ndërkombëtare. Fatkeqësisht sportistët shpesh bëhen viktima të mosmarrëveshjeve më të gjera politike, të cilat janë kundër vlerave të sportit”, shkruan tutje IJF.
Kjo federatë ka njoftuar se pas Lojërave Olimpike do të bëhet një rishikim dhe hetim i plotë i situatës dhe të ndërmerren veprime të mëtejshme, nëse është e nevojshme.
Në Tokio tre vjet më parë algjeriani tjetër, Fethi Nourine, ishte tërhequr për të shmangur luftën potenciale me Butbulin. Ai kishte deklaruar se përkrah Palestinën dhe për këtë arsye ishte tërhequr.
Është suspenduar për dhjetë vjet nga IJF.
Algjeria zyrtarisht nuk e njeh shtetin e Izraelit.
Dy garues tashmë kanë refuzuar t’ia zgjasin dorën xhudisti izraelit, Baruch Shmailov. Këtë e kanë bërë Abderrahmane Boushita i Marokut dhe Nurali Emomali i Taxhikistanit, të dielën.
Dris ishte favorit për ta mposhtur izraelitin Butbul. Algjeriani ishte i 11-ti në renditje, ndërsa Butbuli i 16-ti. Por kishte qëndrim tjetër, të cilit i është përmbajtur me çmimin e heqjes dorë nga ëndrra olimpike.