Paris 2024

U diskualifikuan nga Botërori pasi u tha se dështuan në testin e gjinisë, por po marrin pjesë në Paris

Imane Khelif nga Algjeria

Foto: Associated Press

Gra në pasaportat e tyre, gra edhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. 

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të martën ka mbrojtur të drejtën e dy boksiereve për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, ani pse ato vitin e kaluar kishin dështuar ta kalonin testin e gjinisë dhe u diskualifikuan nga kampionati botëror, raporton agjencia “AP”.  

Lin Yu-Ting nga Tajvani, që është kampione e dyfishtë botërore, dhe Imane Khelif e Algjerisë po marrin pjesë për herë të dytë në Lojërat Olimpike. 

“Të gjitha që marrin pjesë në kategorinë e grave janë në përputhje me rregulloret”, ka thënë zëdhënësi i IOC-së, Mark Adams të martën në konferencë për media. “Ato janë gra në pasaportat e tyre dhe është thënë se kështu është, se janë gra”. 

Në Botërorin 2023 në New Delhi, të dyja ishin parashikuar të fitonin medalje para se të diskualifikoheshin nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA). IBA nuk drejton boksin olimpik pas mosmarrëveshjeve disavjeçare me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC). 

Boksi në Lojërat Olimpike në Paris drejtohet nga zyrtarët të caktuar nga IOC-ja, që të hënën thanë se po përdorin rregulloret që ishin edhe për Lojërat Olimpike të vitit 2016 në Rio dhe ato të “Tokio 2020”. 

“Ato kanë të drejtë të garojnë sipas rregulloreve të federatës që u caktuan në vitin 2016, dhe ato u aplikuan edhe në Tokio në vitin 2020. Të garojnë si gra, që edhe janë. Ne e përkrahim plotësisht këtë”, tha Adams. 

Lin është bartëse e parë në kategorinë deri 57 kg ndërsa Khelif është bartëse e pestë në kategorinë deri 66 kg. 

Lin u kualifikua në Paris duke fituar titullin në Lojërat e Azisë në tetor të vitit të kaluar dhe Khelif fitoi turneun kualifikues në Afrikë shtatorin e kaluar. Të dy turnetë u mbajtën nën autoritetin e IOC-së muaj pasi që boksierët u diskualifikuan nga IBA.