Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike “Parisi 2024” është të premten. Dita e parë zyrtare e garave në Olimpiadën Verore të Parisit është e shtuna. Por, në katër sporte garat fillojnë më herët – të mërkurën.
E premtja është e rezervuar vetëm për ceremoninë hapëse, që pritet të jetë madhështore. Por, për shkak të programit të ngjeshur, disa sporte duhet të zhvillojnë aktivitete edhe të mërkurën e të enjten.
Garat e futbollit në Olimpiadë gjithnjë janë të veçanta. Për dallim nga sportet e tjera, në futboll nuk paraqiten më të mirët në botë. Dhe ndeshje futbolli do të ketë prej të mërkurës në Paris e në Francë.
Ndeshja mes Argjentinës dhe Marokut si dhe ajo mes Uzbekistanit e Spanjës do ta kenë nderin të hapin fazën grupore në “Parisi 2024”.
Turneu i futbollistëve përbëhet nga 16 ekipe, ndërsa turneu i futbollisteve, që përbëhet nga 12 ekipe, fillon të enjten. Ndeshjet e futbollit në Lojërat e Parisit do të zhvillohen në shtatë stadiume: Bordeaux, St. Etienne, Lyon, Marseille, Nantes, Nico dhe Paris.
Në Tokio medaljet e arta në futboll i fituan Brazili dhe Kanadaja.
Të mërkurën te futbollistët janë edhe ndeshjet Guineja – Zelanda e Re, Franca – SHBA-ja, Iraku – Ukraina, Egjipti – Republika Dominikane, Japonia – Paraguai, Mali – Izraeli. Të mërkurën janë të gjitha ndeshjet e xhiros së parë të fazës grupore.
Dukshëm më i ngjeshur është orari në ragbin me shtatë lojtarë te meshkujt. E gjithë faza grupore zhvillohet të mërkurën e të enjten. Pra, para se zyrtarisht të nisin Lojërat e Parisit.
Sa i takon hendbollit, fillimisht luajnë femrat. Të enjten janë ndeshjet e para, ndërsa numri i shikuesve pritet të jetë i madh. Në Francë ka shumë entuziazëm për këtë sport.
Nikoqirja e Lojërave, Franca, ka mision të vështirë. Synon të mbrojë të artat në dy konkurrencat, që i ka fituar në Tokio.
Të enjten hendbollistet e Francës luajnë ndaj Hungarisë.
Para hapjes zyrtare, garat në Paris nisin edhe në shigjetari. Shigjetarët i kanë garat kualifikuese, përkatësisht ato që shërbejnë për raundet me eliminim direkt.
Aksioni i vërtetë olimpik megjithatë pritet prej të shtunës e tutje. Si në çdo Olimpiadë, fokusi do të jetë te garat e atletikët e të notit. Sa i takon Kosovës me më së shumti interesim priten garat e xhudos.