Paris 2024

Sportistët nga zonat e konfliktit gjejnë shpresë në Lojërat e Parisit

Sportistët nga zonat e konfliktit gjejnë shpresë në Lojërat e Parisit

Kur garojnë në Lojërat Olimpike të Parisit, ata janë thjesht sportistë në kulmin e karrierës së tyre. Theksi nuk është në atë se ata vijnë nga regjione të shkatërruara nga lufta.

Lojërat Olimpike, të fokusuara në promovimin e paqes, kanë mbledhur 10 mijë e 500 sportistë, duke përfshirë ata nga vendet ku janë aktive 110 konflikte të armatosura. Shumica janë konflikte që kanë mbetur disi në harresë. Janë luftërat në Gazë e në Ukrainë që dominojnë titujt e mediave.

Për shembull Kameruni i kishte gjashtë sportistë në Paris. Myanmari i kishte dy sportistë, një notar e një lojtar të badmintonit. Libia, në konflikt që nga viti 2011, u prezantua me gjashtë sportistë. 

Luftërat nga Jemeni në Siri, por edhe shumë më gjerë, u kanë dhënë formë sportistëve nga ato vende. Dhe Lojërat e Parisit shihen më shumë se ngjarje sportive.

Për një pjesë të tyre është rast për të prezantuar shkeljet e të drejtave të njeriut, që disi kanë mbetur në harresë. Për të tjerët është një rast për të kërkuar paqe, apo për të gjetur veten dhe për të lënë prapa të kaluarën e shkatërruar nga lufta.

Rasti i Jemenit

Kur  notari 16-vjeçar nga Jemeni, Yusuf Marwan, hyri në pishinën e madhe në Egjipt, ishte një kontrast i madh me pishinën 11-metërshe në shtëpi. Ai stërviti 20 ditë në Egjipt para udhëtimit për në Paris.

I “pushtuar” nga presioni i ujit, ai kuptoi se nuk mund të notonte si duhej. Pishina olimpike ka gjatësi prej 50 metrave. Ai stërviti në pishinë prej 11 metrave.

Lufta civile shumëvjeçare në Jemen ka lënë jashtë funksionit rreth 80 për qind të objekteve sportive. Disa federata janë detyruar të marrin me qira ambiente modeste stërvitore, pa infrastrukturë të duhur, sipas Komitetit Olimpik të Jemenit.

Në vitin 2014 rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, pushtuan pjesën më të madhe të Jemenit verior dhe detyruan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të largohet nga kryeqyteti, Sanaa. 

Një koalicion i udhëhequr  nga Arabia Saudite ndërhyri një vit më pas në mbështetje të forcave qeveritare. Me kalimin e kohës konflikti u shndërrua në luftë, ku ndikimi i Arabisë Saudite dhe Iranit është shumë i madh.

Lufta në Jemen ka lënë më shumë se 150 mijë të vrarë nga viti 2014 dhe ka bërë që të ketë fatkeqësi humanitare. 

“Ruajtja e atyre që kanë mbetur nga objektet sportive mbetet sfidë. Kjo situatë ka zvogëluar dukshëm angazhimin e të rinjve në sport”, thotë Akram Al-Ahjri, menaxher i marrëdhënieve ndërkombëtare në Komitetin Olimpik të Jemenit.

Vetëm katër sportistë të Jemenit kanë garuar me shanse minimale për medalje. Por, ata e kanë parë Olimpiadën përtej garës sportive. Komiteti Olimpik i Jemenit ka mbështetje nga IOC-ja dhe Komiteti Olimpik i Azisë, por jo nga qeveria e njohur e Jemenit apo rebelët Houthi.

“Ne dërgojmë mesazhe dashurie, paqeje, miqësie, solidariteti. Qëllimi është të marrim pjesë dhe të tregojmë kulturën tonë, historinë, për të gjithë njerëzit në mbarë botën”, ka thënë Shaif Abdullah Al Shawafi, udhëheqës i delegacionit të Jemenit në Paris.

Për notarin Marwan, gara e Parisit ishte përvojë unike. Ai mbeti i fundit në bateri në 100 metra delfin, por nuk e vlerëson veten humbës. E përmirësoi rekordin e mëparshëm.

“Nuk kam pritur të vendos rekord. Garimi me më të mirët më ka shtyrë para”, ka thënë Marwan.

Udhëtimi për në Paris ishte i papërballueshëm për prindërit e tij. Por ata e fotografuan përmes televizionit dhe i dërguan mesazh përkrahjeje.

Siria: Do të kenë shpresë më të madhe

Yahya Al Ghotani, tani 20-vjeçar, ishte fëmijë kur u largua nga Siria, në vitin 2012. Ai u largua gjatë përshkallëzimit të një lufte civile, që po zgjat plot 14 vjet. Ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në kamp refugjatësh në Jordani, ku mësoi taekwondon.

“Është ndjenjë kaq e mahnitshme. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë, të jem këtu, ta mbaj flamurin, veçanërisht kur kujtoj se gjashtë vjet më parë vetëm ëndërroja të bëhesha olimpist”, thotë ai.

Gjatë ceremonisë hapëse, Al Ghotany mbajti me krenari flamurin e ekipit olimpik të refugjatëve në një varkë që lundronte përgjatë lumit Sena. 

Ishte shumë larg nga koha kur si djalë i ri shikonte fëmijët e tjerë duke praktikuar taekwondo, përpara se të gjente guximin dhe të niste këtë sport.

Trajneri i tij, Asif Sabah, tha se pa një kampion tek Al Ghotany, për shkak të motivit që kishte. 

Në stërvitjen e  parë Al Ghotany u paraqit me rroba të zakonshme, pasi nuk kishte uniformë të taekwondos.

Por kishte diçka tjetër që e tërhoqi Al Ghotanyn drejt sportit – mundësia për një jetë më të mirë, jo vetëm për të, por edhe për fëmijët e tjerë në kampin e refugjatëve. 

“Nëse paraqitem mirë, kam rezultate të mira, ata do të kenë shpresë më të madhe për të praktikuar taekwondon dhe për të ëndërruar. Madje edhe për të marrë pjesë në Lojëra Olimpike”, tha ai.

“Kjo ishte fuqi shtesë për mua”, vazhdoi siriani.

Forca mendore është vendimtare në taekwondo, thotë ai.

“Kudo që jam, kudo që mund të jem, thjesht duhet të jem i qetë mendërisht”, thotë Al Ghotany për atë që i duhet për një stërvitje të mirë. Ai nuk ka dashur të fliste për të kaluarën në Siri, apo për faktin që nuk prezantohet me flamurin sirian. 

Siria prezantohet nga gjashtë sportistë në Paris.

Vajzat në Afganistan kanë nevojë për përkrahje nga bota

Sprinterja afgane, Kimia Yousofi, tërhoqi vëmendjen në Lojërat e Parisit duke shfaqur mesazhe të shkruara me dorë si “edukimi” e “të drejtat tona” gjatë vrapimit të saj.

“Shumë gjëra kanë ndodhur qëkur talebanët erdhën në pushtet”, tha ajo, duke përmendur luftërat në Ukrainë dhe në Gazë.

“Dhe unë mendoj se bota ka harruar vajzat afgane”.

Yousofi donte t’i kujtonte botës se me talebanët, Afganistani është bërë një nga vendet më represive për gratë dhe vajzat, duke u hequr atyre thuajse të gjitha drejtat themelore.

“Vajzat afgane gjithashtu kanë nevojë për mbështetjen e botës”, tha ajo.

“Ato nuk mund të bëjnë intervista, nuk mund të flasin, nuk mund t’u thonë talebanëve se nuk i duan”.

Yousofi dëshiron të jetë zëri i tyre. Ajo mund të flasë pasi u largua nga Afganistani kur talebanët morën sërish kontrollin, ndërsa SHBA-ja tërhoqi trupat në vitin 2021. 

Yousofi, e cila u lind dhe u rrit në Iran, pasi prindërit e saj u larguan nga Afganistani, ishte kthyer për të stërvitur në Afganistan. Tani jeton në Australi.

“E humba përsëri vendin tim”, thotë ajo.

Komiteti Olimpik i Afganistanit vepron në mërgim dhe mundohet të mbështesë sportistët. Vetëm një nga gjashtë sportistët udhëtuan për në Paris nga Kabuli. Pjesa tjetër e sportistëve jeton jashtë vendit.

Talibanët jo vetëm që kanë ndalur sportet për gratë e vajzat, por kanë frikësuar dhe ngacmuar ato që e kanë bërë këtë dikur.

“Kam kaluar kohë sfiduese në tre vjetët e fundit, ishte shumë keq. Të gjithë, jo vetëm unë, kanë depresion dhe ankth”, thotë atletja. 

Yousofi vendosi të lëvizte para dhe i tha vetes: “Ka shpresë, bëhu e fuqishme dhe inkurajo të tjerat!”