Paris 2024

Skena për Norën e Akilin

Nora Gjakova

Bashkë në ceremoninë hapëse. Bashkë edhe në tatami.

Nora Gjakova dhe vëllai i saj, Akili, do ta ndajnë skenën e njëjtë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Dhe në ditën e njëjtë.

  hënën në “Champ De Mars Arena”, në afërsi të Kullës së Eiffelit në Paris, zhvillohen garat e xhudos në kategorinë deri 73 kilogramë te xhudistët dhe kategorinë deri 57 kilogramë te xhudistet.

Nora paraqitet në kategorinë deri 57 kg. Në fakt e mbron titullin e kampiones olimpike në këtë kategori. Është trofeu më i vlefshëm i mundshëm në sport.

Akili e kërkon medaljen olimpike në kategorinë deri 73 kilogramë. Në Tokio, tri vjet më parë, kishte ecuri pozitive por jo të mjaftueshme për të fituar medalje. Tani synon hapa tutje dhe vendin në podium.

Nora e Akili tashmë kanë shkruar histori në Paris. Janë bërë motra dhe vëllai i parë që kanë bartur bashkë flamurin e një shteti në Ceremoninë Hapëse të Lojërave Olimpike.

Ceremonia e veçantë hapëse është mbajtur të premten në lumin Sena.

E veçantë është edhe gara e xhudos në Olimpiadën e Parisit. Në dy ditët e para arena ishte e mbushur me shikues. Atmosfera ishte e shkëlqyer. Shikuesit janë kujdesur për këtë, por edhe xhudistët në arenë.

Në ditën e dytë të garave, të dielën, Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë.

Nora e Akili e dinë peshën e paraqitjes në skenën më të madhe. Nora ka përvojën e dy Olimpiadave e Akili të një.

Nora është bartësja e shtatë në kategorinë e paparashikueshme, atë deri 57 kg. Christa Deguchi e Kanadasë, Mimi Huh e Koresë së Jugut, Rafaela Silva e Brazilit, Sarah Leonie Cysique  e Francës, Haruka Funakobo  e Japonisë dhe Eteri Liparteliani e Gjeorgjisë janë më lart se Nora.

Në fakt 31-vjeçarja ishte dukshëm më lart në renditje. Por një lëndim muskulor e la jashtë garave nga 16 shkurt deri më 21 qershor. Ishte lënduar në Grand Slamin në Baku, më 16 shkurt dhe nuk kishte mundur të paraqitej në finale. U kthye në “Lima Panamerican Open” më 21 qershor dhe fitoi medaljen e artë. I fitoi edhe pikët që i duheshin për të dalë në pozitën e shtatë, që nga shtabi teknik i Kosovës vlerësohet se është shumë më e përshtatshme se pozita e tetë për të avancuar drejt zonës së medaljeve.

Nora fillimisht takohet me xhudisten nga Mongolia, Enkhriilen Lkhagvatogoo. Në rast të fitores, që edhe pritet, përballet me holandezen Julie Beurskens apo gjermanen Pauline Starke.

Nora ka sanuar plotësisht lëndimin. Ka pasur fazë shumë të mirë përgatitore dhe drejt Parisit është nisur në formë optimale. Mbajtja e flamurit në parakalimin mbi lumin Sena besohet se e ka mbushur me vullnet edhe më të madh atë. Dhe gjasat janë të mëdha që Nora Gjakova të kujdeset që flamuri i shtetit të Kosovës të ngrihet lartë edhe në arenën e përkohshme në  zemër të Parisit.

Nora do ta ketë një përkrahës të veçantë në “Champ De Mars Arena” – vëllain e saj, Akilin.

Tri vjet më parë ndodhi që Nora e Akili të shikonin njëri-tjetrin derisa prisnin të dilnin në arenë për të luftuar. Kjo mund të përsëritet edhe në Paris.

Shpresohet që Akili e Nora të qëndrojnë sa më gjatë në arenë dhe të shfaqën sa më shpesh para tifozëve pasionantë.

Akili nuk është bartës në kategorinë e njohur si më forta sa i takon konkurrencës. Por nuk është pa gjasa për medalje.

Rrugëtimin e fillon prej xhiros së parë. Përballë do ta ketë brazilianin Daniel Cargnin. Në rast të fitores përballet me austriakun Samuel Gassner apo sirianin Hasan Bayan.

Rruga drejt podiumit është e gjatë për Akilin, njëjtë si për xhudistët e tjerë. 28-vjeçari tashmë ka përvojën e duhur për ta përballuar me sukses presionin që sjell paraqitja në tatamin olimpik. Ndërkohë, kryemjeshtri Driton Kuka ka bërë përgatitjet deri në detajin e fundit që forma e Akilit e Norës, por edhe e Distrisë, Laura Fazliut e Loriana Kukës të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm në momentin e duhur.

Skena është për Norën e Akilin. Koha për më tepër histori olimpike për Kosovën.