Notari i Kosovës, Adell Shaboviq e ka përfunduar garën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Shaboviqi në Paris u paraqit falë ftesës së universalitetit. Dhe ashtu si pritej, ishte larg kualifikimit në gjysmëfinale në 100 metra stil të lirë.
Shaboviqi garoi të martën paradite në baterinë e tretë të kualifikimeve dhe u rendit i dyti në këtë bateri me kohë prej 51.77 sekonda.
Nuk e ka arritur as kohën më të mirë personale.
Shaboviqi përfundoi i 58-ti në kualifikime. Në 100 metra stil të lirë, ku ndahen shumica e ftesave, u paraqitën 79 notarë.
Vetëm 16 më të mirët janë kualifikuar në gjysmëfinale. Koha e fundit që siguroi gjysmëfinalen ishte 48.41 sekonda. Në kualifikime më i shpejti ishte amerikani Jack Alexy me kohë prej 47.47 sekonda.
Shaboviqi jeton në SHBA, por ka prejardhje nga Peja. Ai dy vjet më parë shfaqi interesim që të garojë për Kosovën. Prej notarëve të Kosovës ka rezultatet më të mira. Dhe rrjedhimisht iu dha ftesa nga Federata Ndërkombëtare e Sporteve në Ujë.
Por paraqitjen e tij në Paris e ka kundërshtuar dhe e kundërshton ashpër Federata e Notit e Kosovës. Ka pasur edhe një rast në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë për këtë. Ka edhe konflikt të hapur mes Komitetit Olimpik të Kosovës dhe federatës së notit.
Shaboviqi megjithatë udhëtoi për Paris dhe tashmë e ka përfunduar garën.
Ashtu si pritej, pa ndonjë sukses. Paraqitja me ftesë e nënkupton këtë.
Në not për Kosovën garon edhe Hana Beiqi.