Paris 2024

Rekordmenes i mohohet vrapimi në 100 metra pas gabimit administrativ

Favour Ofili

Favour Ofili

Sprinterja nigeriane Favour Ofili nuk do të garojë në 100 metra në Lojërat Olimpike “Paris 2024” pasi Federata Atletike e Nigerisë dhe Komiteti Olimpik i Nigerisë nuk e kanë regjistruar atë për gara.

Ofili kërkoi llogari nga përgjegjësit dhe vuri në dyshim besueshmërinë e të dyja organizatave. Ajo shpreson të marrë pjesë të paktën në 200 metra dhe në stafetë 4x100 metra.

“Me keqardhje të madhe më kanë thënë se nuk do të garojë në 100 metra në këto Lojëra Olimpike. U kualifikova, por Federata dhe Komiteti nuk më regjistruan. Unë kam punuar katër vjet për ta fituar këtë mundësi. Pse?”, ka shkruar nigeriania në rrjetet sociale.

Federata Atletike e Nigerisë ka thënë se befasohet se si emiri kampiones së vendit mungon në garën e 100 metrave në Paris, duke këmbëngulur se ajo ishte e regjistruar në 100 metra, 200 metra dhe stafetë 4x100 metra.

“Ofilin e kemi regjistruar. Nuk e dimë se si humbi emri i saj në 100 metra. Ky është qëndrimi ynë si Federatë”, ka thënë drejtori teknik i Federatës Atletike të Nigerisë, Samuel Onikeku.

Ministri i Sportit i Nigerisë,  Lohan Owan Enoh ka kërkuar hetim për përjashtimin e atletes nigeriane nga gara 100 metra në Paris. Ai u ka bërë thirrje krerëve të Federatës Atletike të Nigerisë dhe Komitetit Olimpik të Nigerisë të sigurohen që Ofilit t’i mundësohet paraqitja në garat për të cilat ajo është kualifikuar.

“Federata Atletike e Nigerisë dhe Komiteti Olimpik i Nigerisë duhet të sigurohen që Ofili të mos privohet nga mundësia për të garuar në garat për të cilat ajo është kualifikuar dhe e regjistruar për të përfaqësuar vendin në Paris. Ajo është e përkushtuar të dëshmoj aftësinë e saj”, ka thënë Enoh.

Ai u zotua se do të ketë sanksione për neglizhencën e rëndë.

“Të gjitha palët duhet t’i marrin detyrat e tyre shumë seriozisht. Mënyra aktuale e funksionit të Ministrisë së Sportit nuk lejon paaftësi në asnjë nivel. Do të ketë sanksione pas hetimeve se ku dhe nga e ka origjinën kjo neglizhencë e rëndë”.

Në listën e publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës emri i atletes nigeriane figuron vetëm në garat 200 metra dhe 4x100 metra.

Ofili u kualifikua për 100 metra gjatë garave kombëtare të organizuara nga Federata Atletike e Nigerisë të mbajtura në qershor. Ajo fitoi titullin e saj të parë kombëtar me kohë prej 11.06 sekonda.

Në prill ajo siguroi paraqitjen në 200 metra me kohë prej 22.33 sekonda. Garat e atletikës në Lojërat e Parisit fillojnë të enjten me garën e ecjes 200 metra për meshkuj. Të premten fillon raundi i parë 100 metra për femra, garë në të cilën Ofili nuk do të paraqitet.