Paris 2024

Pritje solide në Algjeri për boksieren shumë të diskutuar

Imane Khelif

Algjeria fitoi gjithsej tri medalje në Lojërat Olimpike. Medaljen e bronztë e fitoi atleti Djamal Sedjati në 800 metra. Të argjendtën gjimnastja Kaylia Nemour. Dhe së fundi medaljen e artë boksierja Imane Khelif, e cila bëri bujë në Paris. Khelif ishte në qendër të vëmendjes në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” pas akuzave se është mashkull. 

25-vjeçarja është biologjikisht femër, por u konstatua se ka tepricë të hormoneve mashkullore. Khelif ka qenë në qendër të vëmendjes, si një prej dy boksiereve në Paris së bashku me tajvanezen Lin Yu-Ting, që garuan ndonëse ishin diskualifikuar nga Botërori i vitit të kaluar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit për shkak të dështimit në testin gjinor. 

IBA ndalon boksieret me kromozome XY të burrave që të garojnë në konkurrencë të grave. Por të dyja garuan dhe fituan medalje të arta në Paris.

Por as tri medaljet dhe as zhurma rreth boksieres Khelif nuk kanë pasur efekt te popullata algjeriane. Pas ceremonisë mbyllëse të Lojërave në Paris, tre medalistët olimpikë u pritën në shtëpi në aeroport në Algiers nga një numër i vogël të njerëzve dhe ministri i sportit, Abderrahmane Hammed.

Në vend të një pritjeje madhështore, ardhja e treshes u ndoq vetëm nga disa njerëz. Një grup i vogël i mbështetësve të boksieres brohoritën “Tahia Imane”, që në shqip i bie “Rroftë Imane”. I pranishëm ishte edhe një grup folklorik algjerian.

Ashtu si në Paris, Khelif nuk u brengos dhe doli para gazetarëve për t’u përgjigjur.

“Përgjigjja qëndronte në rezultatet e luftërave individuale”, tha Khelif, duke folur për një “fushatë të pamëshirshme” kundër saj.

Ajo falënderoi popullin algjerian me një grusht të shtrënguar.

“Njerëzit më mbështetën gjatë kësaj sprove dhe më dhanë forcë”, tha boksierja 25-vjeçare, e cila nuk u dha asnjë mundësi konkurrenteve të saj në peshën deri 66 kilogramë. Ajo u kritikua shumë. Por me gjithë kritikat, Khelif promovoi feminizmin. “Gratë algjeriane janë shembull dhe modë për të gjithë botën”, tha Khelif. “Faleminderit Zotit, ne rikthyem nderin e Algjerisë dhe ngritëm flamurin algjerian në Paris, që është gjëja më e rëndësishme”.