Ish-selektorja e Kanadasë në futboll, Bev Priestman, ka kërkuar falje pas skandalit të spiunimit me dron para ndeshjes kundër Zelandës së Re. Ndeshjen e zhvilluar të enjten e fitoi Kanadaja me rezultatin 2:1.
Priestman tha se do të marrë përgjegjësi për skandalin dhe do të bashkëpunojë për t’u zbardhur rasti i cili është duke u hetuar.
“Unë jam absolutisht e thyer në zemër për lojtaret dhe do të doja të kërkoja falje nga thellësia e zemrës sime për ndikimin që kjo situatë ka pasur tek ato. Më vjen shumë keq ajo që ka ndodhur. Shpresoj se do të vazhdoni t’i mbështesni këto lojtare jashtëzakonisht të talentuara dhe punëtore të Kanadasë”, u shpreh Priestman në një deklaratë të lëshuar nga avokatët e saj të hënën.
Fillimisht Priestman u suspendua nga Federata e Futbollit e Kanadasë e më pas edhe u përjashtua nga turneu Olimpik. Ajo nuk do të ketë të drejtë të ushtrimit të çfarëdo detyre në futboll për një vit.
FIFA e ka dënuar Kanadanë me heqjen e gjashtë pikëve në turneun olimpik të futbollit.