Turma grashë janë shfaqur në meçet e Imane Khelifit në Lojërat Olimpike të Parisit, për t’i ofruar përkrahje boksieres algjeriane, pasi ajo u përball me abuzime në internet lidhur me gjininë e saj.
Disa orë përpara se Khelif ta fitonte medaljen e artë olimpike në kategorinë e lehtë, të premten, shumë gra arritën në Roland Garros. Ato ishin të mbështjellura me flamuj algjerianë.
Shumë prej tyre nuk kishin ndonjë interes për boksin, por që qëllimin e vetëm e kishin ta mbështesin 25-vjeçaren në luftën e saj për identitetin gjinor dhe rregullat në sport.
“Jam shumë e lumtur që ajo erdhi këtu. Unë jam këtu për ta mbështetur sepse ka nevojë. Ajo ka nevojë që gratë tjera ta mbështesin”, ka thënë për AP, Sarah Dayan, që mbante një flamur algjerian dhe ishte ulur në tribunë.
Khelif dhe lin Yu-ting e Tajvanit ishin në qendër të vëmendjes pasi vitin e kaluar u suspenduan nga Botërori. Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA), i mbështetur nga Rusia, i suspendoi ato me pretendimin se kanë dështuar në teste të përshtatshmërisë gjinore.
IOC-ja nuk pranoi testet e IBA-s, duke i quajtur ato arbitrare.
Situata është reflektim i keqtrajtimit historik të sportisteve me ngjyrë. Ato janë përballur me diskriminim kur bëhet fjalë për testimin për gjini dhe me pretendime të rreme se ato janë meshkuj apo transgjinore, thonë ekspertët.
“Njerëzit kanë shumë frikë nga gratë e forta”, vazhdoi Dayan, e cila nuk kishte ide se kush është Khelif para se të nisnin Lojërat e Parisit. Por ka ndjekur reagimet kundër saj në internet.
“Njerëzit kanë shumë frikë nga gratë e forta me ngjyrë. Unë mendoj se është shumë mirë që ajo është këtu dhe po lufton”.
Khelifi nuk e ka humbur asnjë raund gjatë gjithë turneut olimpik dhe iu gëzua të artës. Sulmet ndaj saj nisën kryesisht kur italiania Angela Carini u tërhoq pas vetëm 46 sekondave në meçin e parë.
Të premten në finale, Khelifi mposhti 5:0 boksieren nga Kina, Yang Liu. Kishte përkrahje të zëshme nga tifozët pasionantë. Emri i saj është thirrur vazhdimisht.
Shumë gra që ishin në arenë kanë vlerësuar se Khelifi është inspirim për shumë gra nëpër botë.