Paris 2024

Në Prishtinë u festua e argjendta e Distria Krasniqit

Distria Krasniqi

Qindra qytetarë të Kosovës të mbledhur të dielën pasdite në sheshin “Zahir Pajzaiti” të Prishtinës i dhanë përkrahje xhudistes Distria Krasniqi, e cila fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris.

Të mbledhur afër ekranit të madh të vendosur nga Komiteti Olimpik i Kosovës në sheshin “Zahir Pajzaiti” në Prishtinë, duartrokitën suksesin e xhudistes nga Peja.

Krasniqi siguroi medaljen e dytë olimpike për Kosovën në Paris. Pas të artës në “Tokio 2020”, Krasniqi e kategorisë deri 52 kilogramë fitoi të argjendtën në Paris.

Në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë, Distria u mposht nga bartësja e parë, uzbekja Diyora Keldiyorova.

“Dëshira e saj, por edhe e jona ishte medalja e artë. Por edhe e argjendta është sukses i madh”, tha Bedri Krasniqi, qytetar i Kosovës.

Qytetari 60-vjeçar ishte prej qindra të tjerë që ishin ndalur për ta përcjellë finalen e kategorisë deri në 52 kilogramë në xhudo.

Thirrjet “Kosova, Kosova” dhe “Përpara Distria” dëgjoheshin herë pas here kur xhudistja e udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka përfundonte aksion përballë kundërshtares nga Uzbekistani.

Luftën finale nga afër e përcolli edhe ish-futbollisti i Kosovës, Enis Alushi.

“Është arritje shumë e madhe për ne, për gjithë Kosovën. Ajo duhet të jetë krenare. Ne jemi krenarë me arritjen e saj, e cila na ka përfaqësuar në mënyrën më të mirë. Mendoj se do të na bashkohen edhe medalje të tjera”, ka thënë Alushi.

Alushi ishte nën shoqërimin e drejtorit të ri të Sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica.

“E argjendtë me shkëlqim ari. Është medalja e parë në këtë Olimpiadë. Edhe Distria kishte dëshirë ta fitonte të artën, por si ajo ashtu edhe ne duhet të jemi krenarë për këtë arritje. Është arritje e madhe për të gjithë. Ishte kënaqësi që së bashku me Enisin përkrahëm sportistët tanë. Besoj fuqishëm që do të kemi gëzime të tjera në ditët e ardhshme”, ka thënë Mushica.

Kishte edhe zyrtarë të Komitetit Olimpik të Kosovës që po ashtu iu gëzuan suksesit të radhës të Kosovës në Lojërat Olimpike.

Turma e njerëzve të mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” u shpërnda me të përfunduar finalja. Me shumë gjasë qindra të tjerë do të jenë edhe të hënën në përkrahje të dy xhudistëve tjerë të Kosovës, Nora e Akil Gjakovës. Tjera medalje priten nga sporti i xhudos. Edhe Nora e ka të artën e fituar në Tokio. Në “Rio 2016” medalje të artë fitoi edhe Majlinda Kelmendi. Kelmendi në Paris ka rolin e trajneres.