Paris 2024

Më pak boksierë në Paris, derisa boksi “lufton” për të mbetur në programin olimpik

Boks

Boksi tashmë është në “litarët olimpikë” pas një lufte të madhe mes organit të pezulluar qeverisës të boksit (IBA) dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Boksi ishte pjesë e rëndësishme e programit olimpik për më shumë se një shekull, por mund të largohet nga programi para Lojërave Olimpike “Los Angeles 2028”, nëse nuk bëhen ndryshime të mëdha në mënyrën e udhëheqjes së IBA-s gjatë vitit të ardhshëm.

Meçe boksi do të ketë në Lojërat e Parisit, prej javës së ardhshme, por ky turne olimpik nuk do të jetë si ata që tifozët i kanë parë në të kaluarën. Për disa gjëra është turne më i mirë e për disa më i keqi.
Dymbëdhjetë vjet pasi boksi i femrave debutoi në Lojëra Olimpike, me vetëm 36 boksiere në tri kategori në Londër, ky sport duket të ketë arritur barazinë gjinore, të paktën sa u takon Lojërave Olimpike. Kështu është arritur një objektiv i përgjithshëm i lëvizjes olimpike. Gjysma e 248 boksierëve në Paris do të jenë femra. Ato do të garojnë për medalje në gjashtë kategori të ndryshme.

Kjo është arritur duke ulur ndjeshëm numrin e boksierëve. Asnjëherë nuk ka pasur më pak boksierë në Olimpiadë që nga viti 1956. Në Paris do të jenë 23 boksiere më shumë se në Tokio tre vjet më parë. Por do të jenë 63 boksierë më pak. Boksierët do të garojnë në vetëm shtatë kategori, që është numri më i vogël që nga viti 1908.

Në Paris do të ketë dhjetëra boksierë më pak se në çdo edicion të Lojërave në shekullin 21. Numri i përgjithshëm prej 248 boksierëve dhe boksierve është dukshëm më i vogël se ai 432 sa ishin në Seul në vitin 1988. Është numër dukshëm më i vogël se 289 sa ishin në Tokio.

Trajneri i SHBA-së në boks, Billy Walsh ka qenë përkrahës i madh i boksit të femrave që kur stërviti Katie Taylorin e Irlandës dhe e udhëhoqi atë drejt të artës në Londër. Ai e vlerëson “fantastik” shtimin e tri kategorive te boksieret.

Por ai e kupton që boksi olimpik i meshkujve po goditet. IOC-ja ka vënë një kufi të numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve në Lojëra Olimpike. Ndërkohë po shtohen sporte të reja dhe kjo nënkupton që disa sporte tradicionale si boksi, sidomos ai i meshkujve, kanë prani më të vogël.

“Në një mënyrë është e trishtueshme për meshkujt”, ka thënë Walsh, që garoi për Irlandën në Lojërat Olimpike “Seuli 1988”.

“Kur unë kam boksuar ishin 12 kategori të boksierëve. Ata zvogëluan numrin në dhjetë, më pas  në tetë e tani janë shtatë kategori”.

Në Rio 2016, 250 boksierë e kishin nderin të jenë olimpistë. Ky numër është përgjysmuar tetë vjet më pas. Vetëm 124 boksierë garojnë në Paris dhe në tri kategori më pak.

Zvogëlimi i numrit të kategorive është një tjetër problem. Dhe shqetëson Walshin dhe të tjerët që janë të përfshirë në boks.

Zvogëlimi i numrit të kategorive shtyn boksierët  të luftojnë me peshën në tentim për t’u përshtatur me një kategori që është në programin olimpik. Kjo nënkupton shpesh heqje të kilogramëve përtej asaj që mund të llogaritet e natyrshme. Në raste edhe të shtimit të tyre.

“Ka shumë hendek në mesin e kategorive. Ka shumë boshllëqe. Kategoritë ekzistojnë për shkak të fuqisë së grushtit. Dhe dëme mund të bëhen. Nëse një djalosh mezi e arrin një kategori, një tjetër mund të jetë për disa kilogramë më i rëndë dhe ka shumë më tepër fuqi në grushtin e tij. Është sport luftarak dhe njerëzit lëndohen. Unë shqetësohem për këtë”, ka vazhduar trajneri i SHBA-së.

Më pak boksierë do të thotë ekipe më të vogla për shumë shtete. Dhe më pak shanse  për medalje ari, edhe për vendet tradicionalisht të suksesshme në boks.

SHBA-ja ka më së shumti medalje dhe më së shumti medalje të arta në boks në histori të Lojërave Olimpike. SHBA-ja ka tetë boksierë të kualifikuar në Paris, sipas një sistemi sfidues të menaxhuar nga grupi punues i IOC-së që mbikëqyr turneun e boksit. 

SHBA-ja do të ketë më pak boksierë se Australia, që kishte rrugë jashtëzakonisht të lehtë për në Paris. Kuba, që është menjëherë pas SHBA-së sa i takon suksesit në boksin olimpik, i ka vetëm pesë përfaqësues në Paris. 

Do të ketë më pak meçe në Paris dhe boksi i shfaqur mund të jetë më i mirë. Shumë prej boksierëve me dy fitore arrijnë te medalja olimpike.  Kategoria e rëndë dhe kategoria super e rëndë i kanë nga 16 boksierë, ndërsa asnjëra prej kategorive nuk i ka mbi 22 garues.

“Do të jetë ndryshe, kjo është e sigurt. Por do të jetë emocionuese”, thotë Walsh.