Paris 2024

Leon Marchand i Francës fiton medaljen e katërt të artë në “Parisi 2024”

Leon Marchand

Notari francez Leon Marchand vazhdon të dhurojë paraqitje të mahnitshme në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Të premten në mbrëmje, Marchand fitoi të artën e katërt olimpike në këto Lojëra. Në të katër rastet, ka vendosur rekord olimpik.

22-vjeçari ishte më i shpejti në 200 metra në disiplinën e stileve të kombinuara. E përfundoi garën në kohën 1:54.06 – duke thyer rekordin olimpik të legjendarit Michael Phelps në "Beijing 2008". Duncan Scott i Britanisë së Madhe fitoi medaljen e argjendtë (1:55.31), ndërsa kampioni në fuqi Wang Shun (1:56.10) i Kinës fitoi të bronztën.

Marchand deri tash ka fituar medalje ari edhe në 400 metra në stile të kombinuara, 200 metra delfin dhe 200 metra bretkosë.

Ai i bashkohet Michael Phelpsit dhe Mark Spitzit si të vetmit meshkuj që kanë fituar më shumë se tre medalje të arta në një edicion të Lojërave Olimpike.